Policia e Kosovës ka arrestuar sot një punonjës të Postës, me inicialet M.B., i dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, raporton Gazeta Sinjali.
Arrestimi i tij u bë gjatë kontrollit të shtëpisë së tij, ku u gjetën dhe u sekuestruan dëshmi (dërgesa postare) të pa dorëzuara nga ai, i cili ka qenë përgjegjës për dorëzimin e tyre te palët e adresuara, gjatë kohës sa ka qenë punëtorë i Postës së Kosovës.
Policia njofton se dëshmitë dhe provat të cilat u gjetën dhe u sekuestruan gjatë bastisjes janë:
- 682 Shkresa të Gjykatës,
- 512 Fatura të tatimit mbi pronë,
- 337 Fatura të Valës,
- 57 Dërgesa Ndërkombëtare,
- 200 Shkresa të Trustit,
- 197 Fatura të Bankave,
- 7 Shkresa të Ministrisë së Bujqësisë,
- 18 Dërgesa nga Komuna e Lipjanit,
- 1 Dërgesë nga AKP,
- 14 Dërgesa nga Përmbaruesit privat,
- 1 Dërgesë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Në total, policia gjeti 2026 dërgesa të ndryshme, të cilat i dyshuari, ndonëse e kishte obligim, nuk i kishte dorëzuar te palët e adresuara.
“Me këto veprime personi i dyshuar (M.B,) dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i detyrës apo autoriteti zyrtar’ sipas nenit 414 të kodit penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
I dyshuari, pas intervistimit, është ndaluar për 48 orë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë