Sot me fillim nga ora 18:00, Kosova do të ndeshet me Suedinë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katar 2022”.
Loja do të zhvillohet në stadiumin “Friends Arena” në Solna në Suedi, shkruan Sinjali Sporti.
Dardanët, dje kanë arritur në Stokholm, ku edhe e kanë zhvilluar stërvitjen e parë.
Herën e fundit kur u ndeshën këto dy kombëtare, skandinavët dolën triumfues me rezultat 3:0.
Ndërsa, në këtë takim pritet ta ketë paraqitjen e parë Toni Domgjoni, mesfushori i klubit holandez, Vitesse.
Ndërsa, përzgjedhësi i Kosovës në futboll Bernard Challandes, në një konferencë për media, tha se “Suedia është shume skuadër e fortë për kundërshtarët, sidomos kur luan në shtëpi, luan një futboll shumë të fortë, janë të fortë fizikisht dhe ia pamundëson kundërshtarit të luaj lojën e tyre”
Ndërkaq Federata e Futbollit të Kosovës e ka publikuar listën e futbollistëve që do të luajnë në ndeshjet e tetorit, mirëpo formacioni zyrtar për ndeshjen e sotme nuk është publikuar ende.
Përveç këtij takimi, Kosova më 12 tetor pret Gjeorgjinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Kujtojmë që Kosova deri tani ka katër pikë të mbledhura pas pesë ndeshjeve të zhvilluara përgjatë këtyre ndeshjeve kualifikuese, duke u gjendur e katërta në tabelë, gjersa Suedia pozicionohet aktualisht në pozitën e dytë në tabelë me nëntë pikë të mbledhura