Sot i hapi dyert panairi më i madh i librit në botë, pas një viti pauzë si pasojë e pandemisë, në Frankfurt të Gjermanisë me mesazhin “RI:LIDHEMI”. E ftuar nderi është Kanadaja.
Janë mbi 70 vende nga e gjithë bota që marrin pjesë fizikisht në panair, ndër të cilët, tradicionalisht, i pranishëm është edhe shteti i Kosovës, organizuar e prezantuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ky vit është i veçantë për faktin që kemi një prezantim të përbashkët Kosovë-Shqipëri, me bashkëpunimin e Shoqatës së Botuesve të Kosovës dhe Qendrës Kombëtare të Leximit duke e vendosur një standard shumë të nevojshëm të prezantimit të përbashkët të letërsisë dhe traditës së përbashkët mbarëkombëtare.
Gjatë ditëve të panairit prezentohen botimet e dhjetëra botuesve e qindra autorëve, me praninë fizike të autorëve nga Kosova e nga Shqipëria.
Muaji tetor shquhet si muaji më i rëndësishëm për ngjarjet kulturore të fushës së librit me dy kryengjarjet: Çmimi Nobel dhe Panairi i Librit në Frankfurt. E ftuara e nderit këtë vit është Kanadaja ku të gjithë pjesëmarrësit në panair do të kenë mundësinë të kuptojnë më mirë kulturën dhe letërsinë e pasur të Kanadasë. Si mysafir nderi i Frankfurter Buchmesse 2021, Kanadaja do të transformojë panairin me pavijonin dhe programin tërheqës, të cilat do të jenë në dispozicion të pjesëmarrësve për t’u njohur me autorët bashkëkohorë kanadezë dhe veprat e tyre në të gjitha zhanret. Mysafiri i nderit do të prezantojë për herë të parë letërsinë në gjuhën angleze dhe frënge, duke shfaqur autorë me famë botërore si Margaret Atwood, Douglas Coupland, Dany Laferrière, Yann Martel, Alice Munro dhe Michael Ondaatje. Iniciativa do të mbështetet nga institucionet e kulturës gjermane dhe kanadeze. Botuesit, agjentët, autorët dhe përkthyesit nga Kanadaja do të përfshihen gjithashtu, duke e bërë Frankfurter Buchmesse 2021 një edicion për t’u mbajtur mend.
Kosova bashkë me Shqipërinë janë të pranishme me një përfaqësim dinjitoz në sallën 4, sallë e botuesve dhe shteteve ndërkombëtare si: Belgjika, Italia, shtetet e Evropës Qendrore, Lindore e Juglindore, Turqia, Holanda, Evropa Veriore, Irani e të tjerë. Janë botimet më të reja të botuesve kryesorë të Kosovës, si: “Buzuku”, “Koha”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Albas”, “Dija”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Noa”, e të tjerë, si dhe institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës.
Në fundjavë, panairi hapet edhe për qytetarët dhe vizitorët e thjeshtë, me ç’rast mbahen promovime me autorë dhe orë letrare në stendën e Kosovës, që është edhe pikëtakim i qindra kosovarëve që jetojnë në Gjermani. Një rast i jashtëzakonshëm ky për të gjithë diasporën që jeton në Gjermani, që të njoftohet me prurjet nga letërsia dhe kultura shqiptare, duke mbajtur gjallë lidhjen e trashëgiminë kulturore.