Meteorologët e kompanisë amerikane që merret me parashikimin e motit në të gjithë botën, AccuWeather, tashmë po shohin se çfarë do të sjellë dimri, dhe këtë javë, ata kanë publikuar parashikimin e tyre për dimrin në Evropë. Dimri meteorologjik fillon më 1 dhjetor, ndërsa dimri astronomik do të fillojë më 21 dhjetor. Me disa vende evropiane që tashmë përballen me fatura të larta të energjisë, perspektiva e një dimri të ftohtë mund të nënkuptojë gjithashtu një dimër të shtrenjtë për ta.
Për t’i ndihmuar banorët në të gjithë kontinentin për t’u përgatitur, ekipi i meteorologëve ndërkombëtarë me rreze të gjatë të AccuWeather zbërthyen atë që dimri e ka rezervuar për Evropën, Ballkanin, Kosovën… Ekspertët e meteorologjisë — Tyler Roys, meteorolog i lartë që punon për AccuWeather për gati një dekadë dhe Alan Reppert, meteorolog i lartë që ka 20 vjet përvojë në këtë kompani — u përgjigjen të gjitha pyetjeve për stinën që po vjen. Sipas tyre, dimri në Ballkan do të jetë relativisht i butë.
Dimri i ardhshëm në pjesën jugore të Evropës do të korrespodojë shumë me dimrin e vitit të kaluar, theksojnë meteorologët. Stuhi dhe erëra të forta parashikohen në të gjithë Spanjën dhe Francën jugore, si dhe ndryshime të shumta të motit.
“Disa nga stuhitë më të forta ka shumë të ngjarë të ndodhin diku në jug të Francës, Spanjës ose Portugalisë këtë dimër”, paralajmëroi meteorologu Tyler Roys.
Edhe pa erëra të stuhishme, pjesë të tjera të Evropës jugore po përballen me një dimër të lagësht. Këtë dimër, lagështia e bollshme parashikohet të arrijë nga Mesdheu në Itali, Ballkan dhe pjesën më të madhe të Turqisë. Sipas meteorologut Alan Reppert, për shkak të kësaj rryme të qëndrueshme lagështie, këto zona do të përballen me stuhi pas stuhie.
“Edhe sasitë e moderuara të reshjeve mund të rezultojnë në fryrjen e lumenjve në një pikë thyerjeje, e cila mund të shkaktojë përmbytje të konsiderueshme”, paralajmërojnë meteorologët.
Temperaturat në pjesën më të madhe të Evropës jugore pritet të mbeten mesatare. Por temperaturat në disa pjesë të Italisë, Greqisë dhe Ballkanit, si dhe në Kosovë, ndonjëherë mund të rriten mbi normalen, njoftojnë meteorologët
Sipas AccuWeather, zona më e rrezikuar për temperatura disa gradë nën normalen këtë dimër përfshin një zonë nga Ukraina qendrore, në veri në Letoni dhe Estoni e duke arritur deri në perëndim në Sllovaki dhe Poloni.