Mëngjesi i mirë është gjysma e punës, ndaj edhe perimet duhen ngrënë në mëngjes. Të dhënat shkencore provojnë që nëse shtoni perimet në mëngjes, do të keni plotësuar shumicën e rekomandimeve për një shëndet më të mirë. A do të donit ta nisnit ditën plot ankth dhe stres? Me siguri jo! Po të marrim në konsideratë faktin që një përqindje mjaft e ulët e shqiptarëve hanë shumë pak perime, atëherë duhet të gjejmë motivimin e duhur që të shtojmë dozat e ushqimeve të shëndetshme.
Ngrënia e perimeve në mëngjes është mjaft e thjeshtë, e lehtë dhe e shijshme. Vende të ndryshme të botës i kanë perimet pjesë të pandarë të mëngjesit. Francezët për shembull hanë rregullisht kastravecë, domate dhe ullinj në mëngjes. Në Spanjë, hanë sallatë perimesh në mëngjes.Rekomandojm përvetësimin e kësaj tradite edhe në regjimin ushqimor të shqiptarëve.
Më poshtë do të gjeni disa receta të cilat do t’ju vijnë në ndihmë për të ngrënë sa më shumë perime në mëngjes
Brokoli me vezë të skuqur Në fillim zjejmë për 10 minuta brokolit e ndara në lule të vogla. Më pas në tigan hedhim dy lugë gjelle me vaj ulliri, e lëmë pak të nxehet dhe më pas hedhim vezët sy. U hedhim pak kripë dhe i lëmë të skuqen pak apo shumë sipas preferencës. Krepa me miell misri me spinaq dhe djathë të bardhë Brumin e krepave e përgatisni me miell misri në vend të miellit të grurit. Për mbushjen e nje krepe, në një tigan hidhni një grusht me spinaq. Lëreni në zjarr sa të avullojë uji, hidhini pak kripë, vaj ulliri dhe thërrime djathi dhe mbushni krepën. Omletë me spinaq dhe avokado Grini një grusht me spinaq, gjysmë avokado të prerë në kubikë. Hidhni në një tas dy vezë, pak kripë dhe rrihini fortë. Më pas shtoni spinaqin dhe avokadon dhe përzjejini bashkë. Vendosni një tigan në zjarr. Hidhni pak vaj ulliri dhe shtroni omletën në tigan. Lëreni të skuqet mirë nga njëra anë dhe më pas kthejeni nga ana tjetër. Vezë dhe spinaq Grini një grusht me spinaq. Vendosni një tigan në zjarr. Hidhni spinaqin e grirë hollë dhe lëreni sa të avullojë uji, hidhini më pas pak vaj ulliri, kripë dhe hidhni vezët sy që të skuqen. Lulelakër të skuqur me vezë Në fillim zjejmë për 10 minuta lulelakrat e ndara në lule të vogla. Më pas në tigan hedhim dy lugë gjelle me vaj ulliri, e lëmë pak të nxehet dhe më pas hedhim lulelakrat dhe vezët sy. U hedhim pak kripë dhe i lëmë të skuqen pak apo shumë sipas preferencës. Ju mund të përzieni të gjithë perimet që ju pëlqejnë dhe të angazhoheni në krijime të reja në kuzhinë.