Prej 30 gushtit, Qeveria e Kosovës, e ka rikthyer orën policore si një nga masat për mbrojtje ndaj COVID-19. Kjo ndodhi si pasojë e rritjes së madhe të viktimave e rasteve pozitive me koronavirus, shkruan Gazeta Sinjali.
Mirëpo, që nga 30 gushti ka pasur rënie të rasteve pozitive dhe viktimave. Por që atëherë Qeveria nuk e ka larguar orën policore.
Pavarësisht që sot janë 510 raste aktive me COVID-19, MSh nuk ka bërë ndryshim të masave.
Madje për rolin e masave antiCOVID, ka folur edhe infektologu Ilir Tolaj.
“Nuk ka kuptim tashmë që maskat të mbahen edhe në ambient të hapur, rrugë apo lokale, pasi që ashtu edhe në lokale nuk janë mbajtur deri më tani. Po ashtu, nuk ka arsye që ora policore të qëndrojë edhe më tej. E rëndësishme është që të parandalohen tubimet në ambiente të mbyllura gjatë kësaj periudhe të dimrit”, tha Tolaj.
Largimi i maskave dhe orës policore po kërkohet edhe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Drejtori i këtij Asociacioni, Sazan Ibrahimi, ka thënë se një masë të tillë e kanë larguar edhe shtetet e rajonit.
“Sipas informatave që i kemi për situatën në rajon, në ambiente të hapura është duke u lejuar lëvizja pa maska, pasi po konsiderohet se një gjë e tillë nuk është e nevojshme”, deklaroi Ibrahimi
E ndryshimin e masave e kanë kërkuar edhe Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.
“Në rast se nuk do të ketë ndonjë ndryshim deri këtë të premte më dt. 22/10/2021 në Mbledhjen e Qeverisë, atëherë të Shtunën me dt. 23/10/2021 do të mblidhet Këshilli Drejtues i SHGK-së për të vendosur rreth shqyrtimit të protestës dhe padëgjueshmërisë së gastronomisë!”, shkruhej në njoftimin e tyre.