Albert Ahmeti jeton në Lagjen e Spitalit në Prishtinë. Ai dhe bashkëshortja e tij kanë një fëmijë katërmuajsh.

Për dallim prej viteve të kaluara, këtë vit familja Ahmeti thotë se do të jetë e obliguar që të shpenzojnë më shumë energji elektrike për të ngrohur banesën në të cilën jetojnë.

Ata nuk ka alternativë tjetër përpos ngrohjes me energji elektrike.

Jetoj në një banesë përafërsisht 70 metra katrorë dhe atë e ngrohim me energji elektrike. E kemi një vajzë të vogël katërmuajshe tash dhe sigurisht është e domosdoshme ngrohje për të tërë banesën në mënyrë që të mos ftohet lehtë, pasi për fëmijë është shumë më problematike sezoni i dimrit”, thotë Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.

Ahmeti thotë se vitin e kaluar gjatë sezonit së dimrit ka paguar mesatarisht 100 euro në muaj për energjinë e shpenzuar për ngrohje të banesës dhe ujit si dhe punë të tjera të shtëpisë.

Këtë vit shpreson të mos paguajë më shumë dhe thotë të jetë i shqetësuar nga paralajmërimi se mund të këtë rritje të çmimit të energjisë elektrike në muajt në vijim.

“Rritja e çmimit të energjisë elektrike është e papranueshme në këtë kohë duke e ditur se janë rritur dhe çmimet e produkteve ushqimore, pra produkteve bazë, e në anën tjetër nuk ka ndonjë lëvizje të pagave, po besoj në të gjitha sektorët në Kosovë”, shprehet Ahmeti.

Njëjtë si Ahmeti, në Kosovë vepron një numër i madh i qytetarëve.

Në mungesë të sistemeve të ngrohjes qendrore, në qytete dhe fshatra kryesisht ngrohja e shtëpive bëhet përmes djegies së drurit dhe qymyrit, si dhe përmes energjisë elektrike.

Bazuar në statistikat e institucioneve, amvisëritë janë shpenzuesit kryesorë të energjisë totale që prodhohet në Kosovë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 28 për qind e sasisë së përgjithshme të energjisë elektrike është konsumuar nga amvisëritë gjatë vitit 2020.

Kjo sasi kryesisht është shpenzuar për ngrohje të shtëpive, hapësirave të tjera, ngrohje të ujit si dhe në kuzhina.

Aktualisht çmimi i energjisë elektrike në vendet e Bashkimit Evropian është rritur për disa herë.

Të njëjtën situatë mund ta përjetojë edhe Kosova brenda pak muajsh dhe për këtë ka paralajmëruar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka lutur qytetarët që të mos përdorin energjinë elektrike për të ngrohur shtëpitë gjatë sezonit të dimrit.

“Qytetarët duhet të kenë parasysh që të mos ngrohen me energji elektrike. Sa më shumë që konsumojmë do të rritet importi, e kjo do të ndikojë në çmimet në vitin tjetër gjatë sezonit të dimrit”, ka deklaruar më 20 tetor ministrja Rizvanolli në një debat të organizuar nga Lëvizja FOL.

Në shtetet e Bashkimit Evropian sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave (Eurostat), konsumi kryesor i energjisë është nga amvisëritë me qëllim të ngrohjes së hapësirave me rreth 64 për qind, 14 për qind e energjisë elektrike shpenzohet për ndriçim dhe pajisje të tjera elektrike, rreth 15 për qind për ngrohje të ujit, 6 për qind në kuzhina ndërsa pjesa mbetur për ngrohje dhe qëllime të tjera.

Ngrohtoret mbulojnë vetëm 3 për qind të kërkesës

Kosova, me rreth 2 milionë banorë, ka vetëm katër ngrohtore qendrore: Termokosin në Prishtinë, Ngrohtoren e qytetit në Gjakovë, Termomit në Mitrovicë Veriore si dhe Ngrohtorja në Zveçan.

Por, funksionale dhe qe mbulojnë numër më të madh të shtëpive dhe objekteve janë vetëm dy: Termokosi në Prishtinë si dhe Ngrohtorja e qytetit në Gjakovë. Termokosi ka rreth 15 mijë klientë ndërkohë që Ngrohtorja e qytetit në Gjakovë ka rreth 2 mijë konsumatorë.

Në Mitrovicë Veriore dhe Zveçan, ngrohtoret janë tejet të vjetruara dhe edhe në kohën sa kanë funksionuar kanë pasur kapacitete të kufizuara.

Sistemet e ngrohjes qendrore nëpër qytetet e Kosovës mbulojnë shumë pak territor. Sipas Strategjisë së Kosovës për ngrohje, kapacitetet që kanë këto ngrohtore mbulojnë vetëm 3 për qind të kërkesës së përgjithshme për ngrohje në Kosovë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës mbi 600 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë në zona urbane të tjerët në zona rurale.

Ata që jetojnë në zona urbane, kryesisht në banesa kolektive nuk kanë alternativë tjetër të ngrohjes përpos me energji elektrike.

Pa izolime dhe pa pajisje efiçiente

Trimor Gjikokaj është inxhinier i ndërtimtarisë si dhe auditor i energjisë efiçiente.

Ai thotë se përqindja e madhe e energjisë elektrike që shpenzohet për të ngrohur shtëpitë është për shkak se numri më i madh i shtëpive janë ndërtuar pas përfundimit të luftës së vitit 1998-99.

Nevoja e madhe e qytetarëve për të pasur strehim pas shkatërrimit, sipas tij, ka bërë që të ndërtohen qindra-mijëra shtëpi pa kritere dhe me materiale të dobëta.

Këto shtëpi edhe sot, sipas Gjikokajt, janë humbësit më të mëdhenj të energjisë.

Zgjidhni kandidatëttuaj të preferuar për deputet nga Suhareka! 🗳️

Kandidati juaj i preferuar per Kryeminister?

TE FUNDIT