Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, e ka mirëpritur nisjen e punimeve për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me procesin e Vettingut, duke thënë se e mbështesin një proces të tillë.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, nga kjo ambasadë kanë theksuar se do të vazhdojnë të jenë partner i Qeverisë së Kosovës.
“Mirëpresim takimin e sotëm të kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu për të nisur punën për ndryshimet kushtetuese në lidhje me procesin e Vettingut. E kemi mbështetur nismën që nga fillimi dhe do të vazhdojmë të jemi partner për Qeverinë ndërsa ata ecin përpara”, thuhet në njoftimin e Ambasadës britanike.
Ndërkaq, të mërkurën e tre nëntorit, Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se koncept-dokumenti për Vettingun është dërguar në komisionin e Venecias.
Koncept-dokumentin e kemi dërguar edhe në Komision e Venecias. Kemi marrë përgjigje pozitive që i njëjti koncept-dokument me opsionet që i kemi ndjekur do të trajtohet dhe do të na vijnë përgjigje nga Komisioni i Venecias”, deklaroi Haxhiu.
Në takimin e parë të grupit punues për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vettingut që është mbajtur të mërkurën, Haxhiu theksoi se do të mundësohet që të ketë më shumë llogaridhënie në drejtësi.
“Ky proces do të mundësojë që brenda sistemimit të drejtësisë të kemi gjyqtarë e prokurorë që kanë integritet të lartë moral dhe profesionalë. Po zhvillohet në konsultim me ekspertët nga partnerët strategjikë si SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe BE”.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se njëra ndër shtyllat e shtetit funksional është sundimi i ligjit dhe drejtësia efikase.
“Sistemi ynë i drejtësisë është i brishtë në mungesë të rezultateve dhe llogaridhënës e me drejtësi selektive të pabarabartë. Mungesa e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor e prokurorial, vazhdon ta karakterizoj sistemin e drejtësisë”, deklaroi Kurti.
Për defektet dhe dështimet i pari i Qeverisë së Kosovës tha se përgjigja e vetme është vettingu.
“Pa dyshim që njëra nga shtyllat të shtetit funksional është sundimi i ligjit dhe drejtësia efikase”