Është dënuar me 3 muaj dënim me kusht i akuzuari M.B, i cili nga Prokuroria Themelore në Prizren po akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve”.
Kjo pasi që i akuzuari e ka pranuar fajësinë në shqyrtim gjyqësor duke kërkuar nga gjykata shqiptimin e një dënimi më të butë, ngase veprën e ka kryer për herë të parë, është i papunë dhe mbajtës i familjes.
Para se i akuzuari të deklarohet rreth fajësisë, prokurori Fatos Ajvazi e ka rikualifikuar veprën penale nga ajo “vjedhje e shërbimeve komunale” në veprën penale “vjedhje e shërbimeve” dhe pranimin e fajësisë nga i akuzuari nuk e ka kundërshtuar.
Njëlloj ka vepruar edhe përfaqësuesi i të dëmtuarës KEDS, Hajdin Dërguti, i cili ka theksuar se “pajtohem me pranimin e fajësisë si dhe me kërkesën e të pandehurit për pagesën e dëmit me këste, në shumën mujore prej 38,5 euro”.
Përveç dënimit me kusht, të akuzuarin gjyqtari Lavdim Bajraktari e ka obliguar edhe në pagimin e shpenzimeve gjyqësore dhe atë për paushallin gjyqësor shumën 20 euro dhe taksën për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 30 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, i akuzuari M.B, prej datës së pavërtetuar e deri më 1 korrik 2017, në fshatin Mushtisht të Komunës së Suharekës, në shtëpinë e tij familjare përfiton përmes rrjetit përques të rrymës apo rrjetit të shpërndarjes pa autorizimin e furnizuesit të autorizuar, në atë mënyrë që shfrytëzon energjinë elektrike jashtë njëhësorit elektrik në mënyrë direktë.
Energjia e shpenzuar nuk është regjistruar dhe ndërmarrjes së dëmtuar KEDS, distrikti në Prizren i ka shkaktuar dëm material.
Me këto veprime ai ishte ngarkuar se ka kryer veprën penale “Vjedhje e shërbimeve komunale” nga neni 320 i KP-së. /BetimipërDrejtësi