LDK-ja përjashton dy zyrtarë të partisë, i akuzon për bashkëpunim me PDK-në

Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike në Mitrovicë e ka përjashtuar nga grupi parlamentar dhe nga funksionet e tjera brenda partisë, kandidatin për kryetar të kësaj komune, Armend Agollin dhe Xhyljeta Morina Imerin, shkruan Gazeta Express. 

Në arsyetimin e kësaj partie thuhet se Agolli dhe Morina janë përjashtuar pasi pas përfundimit të zgjedhjeve lokale kanë vepruar në kundërshtim me interesat e partisë. 

“ Kryesia e degës së Lidhjes Demokratike të Kosoves në Mitrovicë në mbledhjen e mbajtur sot, me votë unanime, ka përjashtuar nga grupi parlamentar dhe funksionet tjera të partisë , Armend Agollin dhe Xhyljeta Morina Imeri. Të lartpërmendurit që nga mbarimi i procesit të zgjedhjeve lokale kanë vepruar në kundërshtim me të gjitha qëndrimet e partisë, duke bashkëpunuar me partitë tjera në kundërshtim me interesat e LDK-së, duke mbi votuar vendimet e LDK-së me votat e PDK-së”, thuhet në njoftim. 

Këtë për Express e ka konfirmuar edhe kryetari i Degës së LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi. 

“Po, e gjitha është thënë në njoftimin që është lëshuar në faqen LDK-Mitrovicë”. 

Agolli në zgjedhjet e 17 tetorit ka garuar nga radhët e LDK-së për kryetar të komunës së Mitrovicës. 

Për nga votat ai doli i treti. 

Njoftimi i plotë: 

Kryesia e degës së Lidhjes Demokratike të Kosoves në Mitrovicë në mbledhjen e mbajtur sot, me votë unanime, ka përjashtuar nga grupi parlamentar dhe funksionet tjera të partisë , Armend Agollin dhe Xhyljeta Morina Imeri.

Të lartëpërmendurit që nga mbarimi i procesit të zgjedhjeve lokale kanë vepruar në kundërshtim me të gjitha qëndrimet e partisë, duke bashkëpunuar me partitë tjera në kundërshtim me interesat e LDK-së, duke mbi votuar vendimet e LDK-së me votat e PDK-së.

Të njejtit kanë shkelur mbi besimin që strukturat dhe votuesit besnik të LDK-së u kanë dhënë.

Lidhja Demokratike e Kosovës është shtëpia politike e aktivistëve të saj besnik.