Fjalimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku në seancën e sotme parlamentare lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektike.”Të faleminderit kryetar i Kuvendit,I nderuar Kryeministër, të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,Të nderuar kolegë deputetë, Zonja e zotërinj,Kjo seancë e jashtëzakonshme, e thirrur pas mbledhjes së 40 nënshkrimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, është rrjedhojë e refuzimit të pashpjegueshëm të pushtetit për të trajtuar temën më të rëndësishme të tanishme – e të ardhme pa dyshim – atë të rritjes astronomike të çmimeve të energjisë elektrike. Refuzimi i trajtimit të kësaj teme javën që shkoi, përveç se tregon për frikën e pushtetit për tu përballur me të vërtetën, shpërfaqë dhe hipokrizinë politike në këtë Kuvend, ku konsensusi politik kërkohet por s’jepet. Një standard i tillë i sjelljes parlamentare, do të marrë përgjigjen e duhur, në kohën e duhur, por sot kemi një temë tjetër për trajtim.Kemi mbledhur 40 nënshkrime sepse ndajmë besimin me të gjithë qytetarët tanë se paralajmërimi për shtrenjtim të energjisë elektrike, në formatin e bërë, është i papërballueshëm, është i padrejtë dhe mbi të gjitha është diskriminues dhe dënues ndaj një grupi të caktuar shoqëror – prandaj si i tillë duhet të refuzohet nga ky Kuvend.Ky debat i sotëm, duhet parë si vazhdimësi e debatit parlamentar të 28 dhjetorit të vitit të shkuar, kur Kosova në vonesën më të pashpjegueshme reaktive, kishte nisur krejt e fundit debatin publik për krizën energjetike.E kishte nisur me tre muaj vonesë nga vendet e rajonit, e me plot gjashtë muaj vonesë nga vendet e tjera evropiane. Dhe meqë ishte e fundit në debat, ishte natyrshëm dhe e fundit në reagim. Sepse, institucionet e Kosovës, Qeveria e Kosovës, në vazhdimësi kishin mohuar se kishte krizë. Këtë mohim krize e kishin pasuar me mosveprim, vetëm për të përfunduar me paralajmërimin e javës që shkoi, se nga muaji i ardhshëm, çmimet e energjisë elektrike do të rriteshin në shkallë rekorde për qytetarët tanë; më të lartën në historinë e Kosovës.Pra është reagimi i vonshëm, kryesisht si rezultat i paaftësisë, që ka sjellë fillimisht reduktime dhe më pas rritje enorme të çmimeve. Tani, mohimi i krizës, në kohën kur shtetet tjera bënin zgjidhje me kohë, natyrisht se shkakton dëm. Dëmi për Kosovën në tërësi, në bazë të pagesave të bëra deri më tani, tërheqjeve nga sistemi dhe nga tash e tutje dhe nga propozimi i Rregullatorit të Energjisë, do të arrijë nga 150 deri në 200 milionë euro gjithsej – varësisht se sa ftohtë ky dimër do të jetë. Kjo është shuma që shoqëria kosovare do të djegë këtë vit në energji. Një pjesë e kësaj shume do të paguhet nga buxheti i vendit, deri më tani rreth 100 milionë; pjesa tjetër nga konsumi familjar. Në të dyja rastet, janë qytetarët tanë që do ta paguajnë atë në tërësi; qoftë nëpërmjet buxhetit të shtetit, qoftë nëpërmjet buxhetit familjar. Tani, kriza globale domosdo, si në çdo vend tjetër, ka shkaktuar nevojën e subvencionimeve. S’ka shtet që nuk subvencionon. Por çështja që duhet ngritur nga secili sot këtë është e dyfishtë. E para, sikur të reagonim me kohë a do të ishte kjo shumë më e vogël se që është sot; dhe natyrisht, meqë praktikat e vendeve tjera na tregojnë se domosdo se po, kush duhet të mbajë përgjegjësi për milionat e djegura për mos reagueshmëri me kohë. Sepse, kjo çështje s’mund të kapërcejë si asgjë. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi edhe për keqmenaxhimin e krizës me dëm prej 1 eurove; lëre më për dhjetra miliona eurove.Dhe e dyta, tani që dëmi enorm është bërë, si duhet ta paguajmë atë, dhe a mund ta paguajnë qytetarët tanë këtë dëm?Në paraqitjet e deritanishme të pushtetit, pyetja se a mund të përballohet e paguhet ky çmim nuk zë vend fare. Zë vend pyetja se ku t’i gjejë paratë shteti. Pra s’flitet nga perspektiva e familjeve kosovare, që 7 ditë nga sot do të goditen rëndë – më së rëndi në rajon e më gjerë – por flitet nga perspektiva e karriges së pushtetit, si brengë e një njeriu të vetëm, e kryeministrit. Ku t’i gjejë paratë ky, se punë e madhe se ku e si do t’i gjejnë paratë 200 mijë familjet e prekura. E pyetjen se ku i merr paratë shteti, Kryeministri është dashur ta bëjë në tetor, kur homologët e tij në rajon e Evropë përgatiteshin për këtë krizë. Sot Kryeministri ka vetëm një pyetje për të bërë – si mos t’i gjunjëzosh 200 mijë familje në Kosovë 7 ditë nga sot; kur fatura e energjisë ju merr një të tretën e pagave mesatare.Kjo është dilema që duhet ta keni sot. Kjo duhet të jetë dilema e këtij Kuvendi sot.Por kjo dilemë nuk ekziston në pushtet. Përkundrazi, përgjigjja ndaj një krize globale, na vjen nga Qeveria si narracion i problemeve lokale. Na vjen si ankesë tashmë shabllone për çdo paaftësi të kësaj qeverie – na vjen në narracionin 20 vjet keq. Dhe në këtë 20 vjet keq, fshihet edhe reagimi i vonshëm, edhe propozimi i gabuar, edhe çmimi i papërballueshëm.Në narracionin 20 vjet keq fshihet paaftësia. Sepse, krizë energjetike ka secili shtet Evropian sot, por asnjëri nuk ka rritur çmimet në përmasat që ky po provon ti rritë një javë nga sot. Krizë energjetike kanë edhe fqinjët tanë në rajon, por si është e mundur që asnjëri nga ta, nuk i ka rritur as për së afërmi çmimet sa Qeveria e Kosovës po provon t’i bëjë. Sepse, termocentrale të reja, që nga koha e ish Jugosllavisë – pra saktësisht njëjtë sikurse tek ne – nuk ka ndërtuar as Republika e Maqedonisë së Veriut, por atje çmimi është rritur për vetëm 9%; jo katërfish siç do të ndodhë tek ne.Dhe a e dini pse atje çmimi nuk i rritet familjeve deri në katër fish? Sepse Maqedonia e Veriut, sikurse Shqipëria, me krizë energjetike ishin marrë qysh në tetor. Tek ne në tetor Qeveria na thoshte se s’ka krizë. Dhe për t’iu kthyer pyetjes thelbësore që duhet të kemi sot, pra, si të mos gjunjëzohen 200 mijë familje një javë nga sot, Ky Kuvend duhet të refuzojë – shpresoj në unitet të plotë, propozimin e ZRRE-së dhe të Qeverisë. Të refuzojë sepse ky propozim s’ka marrë mundin të ketë për kriter përballueshmërinë. Ka shikuar si kriter barazimin financiar, por pa fije brenge për përballueshmëri. Dhe kjo për disa arsye.E para, sepse propozimi për mbulim të vetëm 600 kilovatëve nga subvencionimi i shtetit është i pa denjë. Në dimër, ky 600 kilovatësh për 200 mijë familje është minimalist. Kosovarët nuk shpenzojnë rrymën për luks. Për luks na shpenzohet në Veri të vendit, atje ku s’ka pagesë, pra ku rryma është falë. Kosovarët shpenzojnë aq sa kanë nevojë sepse e paguajnë atë. Dhe në dimër, për të gjitha arsyet e mundshme – demografike, të jetesës, të natyrës së shtëpive e normave tjera të vendosura – janë të detyruar të shpenzojnë më shumë sepse nuk kanë zëvendësues tjetër për ngrohje. Janë të detyruar të përdorin energjinë elektrike si resursin e vetëm tani për tani. Prandaj 600 kilovatët e mbuluar nuk mjaftojnë për të vendosur një përballje të denjë me këtë krizë.E dyta, Kuvendi duhet të refuzojë tendencën e Qeverisë, sepse ajo nuk u ka dhënë kohë fare kosovarëve për të zëvendësuar energjinë elektrike me resurse alternative. Pra, sikur Qeveria të paralajmëronte këtë rritje muaj më parë, e kosovarët të përgatiteshin me kohë për zëvendësim, ndoshta dhe mund të kishte kuptim. Por paralajmërimi për rritje rekorde, astronomike të çmimeve, në mes të dimrit, dhe në pamundësi zëvendësimi, është dënim – nuk është zgjidhje. S’mund të japësh një dënim kaq të shpejtë për vetëm 7 ditë kohë.E treta, Kuvendi duhet të refuzojë propozimin e tanishëm, sepse i njëjti, nuk ka marrë as mundin më të vogël për të parë e analizuar praktikat e vendeve evropiane kur ato janë ballafaquar me rritje të çmimit të energjisë. Këto shtete, anëtare të BE-së, saktësisht 11 sosh, s’janë marrë me fajësimin e qeverive paraprake të tyre, por kanë dalë me propozime përballuese, ndër më të zakonshmet, heqja e TVSH-së tërësisht për energji. Ndonëse e kishim vënë si propozim si masë të tillë më 28 dhjetor, mu në këtë sallë, Qeveria jonë, as nuk është lodhur të mendoj të heqë dorë nga TVSH-ja prej 8% në energji. Si mendoni, t’i rrisni çmimet e energjisë dhe të mblidhni taksë mbi të? Kjo tregon se sa të papërgatitur jeni në këtë trajtim, se nuk keni marrë mundin fare të shihni shembujt dhe praktikat e vendeve evropiane. E katërta, përtej krizave të tanishme e të ardhme që na vijnë, të ofrohet sa më parë alternativa afatgjate e furnizimit me energji të qëndrueshme dhe të përballueshme. Në këtë drejtim, të ndërpriten vonesat e paarsyeshme, paranoike dhe të dëmshme të Qeverisë në lidhje me gazifikimin e Kosovës, një projekt që shtetet e rajonit e kanë nisur tashmë. E ardhmja e energjisë në Kosovë është e pastër; por Kosova sikurse Evropa, po kalon në disa dekada të tranzicionit energjetik. Dhe në këtë tranzicion ne duhet të sillemi me përgjegjësi ndaj sigurimit dhe përballimit të energjisë paralelisht. Qeveria po ashtu duhet të përshpejtojë dhënien e lejeve për nisjen masive të investimeve private drejt sektorit të energjisë solare.Të dashur qytetarë,Lidhja Demokratike e Kosovës kundërshton propozimin e institucioneve të Kosovës. Është selektiv në pagesë, diskriminues në trajtim, i paparalajmëruar në kohë, dhe mbi të gjitha, është propozim i papërballueshëm një javë nga sot.Prandaj, kërkojmë mbështetjen e gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës si dhe do të japim rekomandimet tona në rezolutë në fund të kësaj seance.Ju faleminderit!”

Zgjidhni kandidatëttuaj të preferuar për deputet nga Suhareka! 🗳️

Kandidati juaj i preferuar per Kryeminister?

TE FUNDIT