KESCO ka njoftuar se dje ka dorëzuar propozimin në ZRRE që vendimi për për hyrjen në fuqi të tarifave të reja të mos zbatohet nga data 9 Shkurt 2022, por të nisë së zbatuari në ciklin e ardhshëm të faturimit.
“Ky propozim ka ardhur si rezultat i veshtirësive që të bëhet prerja e gjendjes së leximit në një ditë për të gjithë konsumatorët tanë në Republikën e Kosovës“, thuhet në njoftim.
KESCO ka thënë se synojnë që të shmangin konfuzitetin e konsumatorëve në faturimin e këtij muaji duke zbatuar në të njëjtë faturë tarifat e deritanishme me tarifat e reja.
“Nëse ZRRE-ja do ta marrë për bazë këtë propozim, atëherë faturimi i tanishëm do të zbatohet me tarifat e vjetra për të gjithë konsumatorët.“
“Pavarësisht kërkesës se lartë për energji elektrike në ketë muaj dimri, KESCO është e angazhuar të mbartë kostot përkatëse, si lehtësim për konsumatorin.“
KESCO gjithashtu ka njoftuar se do të fillojë një fushatë masive për të këshilluar konsumatorët që si të përdorin pajisjet e tyre më së miri në mënyrë që ta përballojnë sa më lehtë periudhën e faturimit me tarifa të reja.
“KESCO mbetet kompani e përkushtuar që të jetë sa më pranë konsumatorit dhe të ofrojë shërbime sa më kualitative me kostot më të ulëta të mundshme. I gjithë ky mision arrihet më së lehti dhe më së miri me ndërtimin e partneritetit me konsumatorët. Bashkimi i forcave para sfidave të mëdha, si kjo e muajve të fundit që goditi krejt botën, vecanërisht Evropën, është obligim që e lehtëson përballimin e tyre nga secili. Pra, krejt bashkë ia dalim më së miri.“