Dje gjatë ditës në Suharekë është zhvilluar një operacion i organizuar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Prizrenit ku me këtë rast janë kapur sasi të konsiderueshme të narkotikëve.
Prokurorja e rastit ka njoftuar se në këtë aksion të zhvilluar në Shirokë të Suharekës janë kapur 32 kilogramë 32 kg substancë narkotike, të llojit marihuanë e mbi dy mijë bimë kanabis të mbjella në saksi të gatshme për shitje.
“Me rastin e basti janë kapur në flagrancë dhe më pas arrestuar 6 persona, ku katër prej tyre janë shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe dy të Kosovës”, deklaroi prokurorja Ariana Shajkovci.
Prokurorja thotë se laboratori i bimëve narkotike është zbuluar në kulmin e një ndërtesë shtatë-katëshe.
“Aty kishte kushte optimale për kultivimin e kanabisit ku përfshihen ndriçim të posaçëm, sistemi i ujitjes, sistemi i ajrosjes, peshore, qese dhe sasi të konsiderueshme të dheut e vendosur në thasë”.
Ajo po ashtu ka thënë se janë sekuestruar edhe tri vetura, 6 telefona celularë, DVR, laptopë dhe 2,185 euro para të gatshme.
Reshat Murseli, drejtor i Drejtorisë për antidrogë në Polici, ka thënë se objekti më parë është shfrytëzuar si një mulli, derisa tani ishte shndërruar në laborator kanabisi.
“Vlera e drogës dhe bimëve të rritura që do të dilnin në treg do të kalonte mbi 1.5 milionë euro, duke pasur parasyshë se bimët që kultivohen në laboratorë kanë vlerë më të lartë”, deklaroi Murseli. /Telegrafi/