Shpia e Amerikës në Suharekë

Ruzhdi Kuqi, të cilit pakkush ia di emrin e shumëkush i referohet si Amerikani i Suharekës, e ka kthyer shtëpinë e tij “n’shpi të Amerikës”, në shenjë nderimi për ndihmën vendimtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. “Ambasada e mirënjohjes” tashmë është kthyer në pikë turistike edhe për amerikanët

Flamuri kombëtar e ai i Kosovës valojnë në shtyllat e ndriçimit publik përgjatë rrugëve të Suharekës. Poshtë tyre ka marrë udhë flamuri amerikan. Në rimorkion e xhipit të “Amerikanit”.

Ruzhdi Kuqi asnjëherë nuk e heq nga makina. Por një ditë para përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, veterani i luftës shpreh edhe më krenueshëm adhurimin për simbolin më të rëndësishëm të demokracisë më të madhe të botës. Lidhja e Kuqit me Amerikën demonstrohet edhe më fuqishëm sa më shumë që ekipi i grupit KOHA i afrohet shtëpisë.

Brenda në shtëpi, pa e kthyer fare kokën prapa kah fotografitë, nis e flet me radhë për rëndësinë që i ka dhënë secilës fotografi sipër kokës. Nis me atë të Blerim Kuqit, ish-kryetarit e komandantit lokal të UÇK-së, të cilin e kishte epror.

Image

Fotografitë e falënderimit

“Pastaj vjen presidenti Rugova, për të cilin nuk kemi çka folim”, thekson Ruzhdi Kuqi, duke aluduar se fjalët janë të pafuqishme për të përshkruar rolin e tij. “Falë tij jemi këtu ku jemi”. Në krah të Rugovës është ish-presidenti Bill Clinton e gjenerali Wesley Clark për udhëheqjen e fushatës bombarduese të NATO-s kundër Jugosllavisë së Slobodan Milosheviqit.

“Mandej është Bushi, i riu, që në Shqipëri tha ‘Boll ma’”, duke e paralajmëruar mbështetjen për pavarësinë e Kosovës ende pa u shpallur më 2008. Anash tij ndodhet fotografia e Ramush Haradinajt dhe presidentit historik amerikan, Abraham Lincoln, që, sipas “gojëdhënave ka pasur lidhje me shqiptarët”, e pasuar nga Madeleine Albrighti, sekretare amerikane Shteti në kohën e luftës së Kosovës. “Ka ba shumë në Rambouillet për me ia mbushë mendjen delegacionit tonë për me nënshkru marrëveshjen se përndryshe do t’i keni punët jo mirë”, thotë Kuqi, ulur në kolltukun poshtë fotografive midis sallonit.

Pas tyre janë fotografitë e George H.W. Bushit, i cili në fillim të nëntëdhjetave do ta paralajmëronte “Kasapin e Ballkanit” se do të ndëshkohet nëse do ta kalonte vijën e kuqe në Kosovë.

“Dhe në fund është Tony Blairi, ish-kryeministër i Britanisë që ka ba shumë për Kosovën dhe ka qenë i gatshëm edhe me trupa këmbësorie me hi në Kosovë”, thekson Kuqi, me këmishë e kapelë të ushtrisë amerikane. “I falënderojmë të gjithë!”, thekson ai.

Lidhja që nisi me basketbollin e NBA-së

Por lidhja e tij me Amerikën kishte nisur kaherë. Ish-basketbollisti i Yllit dhe i përfaqësues së Kosovës mezi priste të shihte përmbledhjet televizive të ndeshjeve kryesore të ligës më të fortë të basketbollit, NBA.

“Unë jam marrë me basketboll dhe kam qenë lojtar aktiv dhe dashuria për Amerikën ka lindur qysh herët. Kam pasur andërr NBA-në”, thekson ai. “Shpija jem është edhe e Amerikës, sepse jam i vetëdijshëm se pa ndihmën e Amerikës e kemi pasur shumë, shumë vështirë me u çliru”, thotë ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rugova “e trashi miqësinë me Amerikën”

Janë tre presidentë amerikanë, i ndjeri Woodrow Wilson dhe demokrati Bill Clinton e republikani George W. Bush, që ishin në krye të Shteteve të Bashkuara kur po cenohej qenia shqiptare. Kuqi spikat rolin e Wilsonit për ruajtjen e kufijve të Shqipërisë më 1920, kur shtetet fqinje po u bënin presion fuqive të mëdha ta ndanin përsëri Shqipërinë pas Luftës së Parë Botërore.

Kuqi shpreh respekt të veçantë edhe për kongresistin e ndjerë, Eliot Engel, të cilin e kishte takuar personalisht. Ish-pjesëtari i rezistencës së armatosur të Kosovës ishte aktivist e mbështetës i madh i presidentit historik, Ibrahim Rugova.

“Falë Rugovës – prandaj edhe e mbaj këtu – falë tij, siç thotë populli, edhe e ka trashë, e ka trashë miqësinë me Amerikën”. “Pa Ibrahim Rugovën nuk do të ishte kjo miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë Kuqi, i rrethuar me shenja të ndryshme që shpërfaqin mirënjohjen e tij për fuqinë më të madhe të botës.

Tani, mbështetësi i madh i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj druan se Qeveria aktuale e Albin Kurtit nuk po kujdeset mjaftueshëm për raportet me mbështetësin më të madh të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai e sheh si shqetësuese qasjen e shefit të Qeverisë.

“Me këtë kryeministër… i ka prishë marrëdhëniet me deklarata shumë-shumë të rënda, ‘Amelika, Amelika’”, thekson Kuqi, duke iu referuar një deklarate të Kurtit sa ishte kryeministër në detyrë pasi PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja ia rrëzuan Qeverinë në marsin e vitit 2020 me pretendimin se “nuk e donte Amerika”.

“Kur Qeveria juaj dhe e jonë e mirë, kur ua cenon interesat, fillojnë e piskasin ‘Amelika, Amelika’”, deklaronte Kurti, duke theksuar se mbështetja amerikane po keqpërdorej nga partitë e tjera në pushtet për të mbuluar korrupsionin e tyre. “Por Shtetet e Bashkuara nuk i mbështesin të korruptuarit”, theksonte ai. “Shtetet e Bashkuara nuk i kanë thënë askujt: ‘Vidh popullin tënd’”.

“Pa Amerikën nuk ka komb shqiptar”

Por çfarë do të ndodhte nëse Shtetet e Bashkuara do ta ndryshonin skajshmërisht qasjen ndaj shqiptarëve?

“Ajo kish me kanë katastrofa… me na kthy shpinën Amerika, ju betohem se nuk ka komb shqiptar”, ngulmon Kuqi. “Ku ka shqiptarë në tanësi, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, kah ka shqiptarë, shuhet për shumë pak kohë”. Ai këmbëngul se Kurti po qeveris në kundërshtim me parimet amerikane në raport me Kosovën dhe zhvillimet e saj, sidomos në dialog me Serbinë.

Kuqi, që në derën e hyrjes ka të vendosur një përkujtim për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, derën ua ka hapur shumë mysafirëve amerikanë që i kanë shkuar kastile pasi kishin dëgjuar për “Shpijën e Amerikës”.

“THANK YOU USA”, shkruan në njërin ballë të dhomës së ndejës, të mbushur me flamuj, mbishkrime e posterin e Kushtetutës amerikane. “Ata që vijnë mundohemi me i prit mirë me këtë tonën. Janë të kënaqur dhe ndahen të kënaqur”, thekson ai, duke treguar fotografi e mirënjohje zyrtare për adhurimin për Shtetet e Bashkuara.

Pas ndërhyrjeve ushtarake amerikane në Afganistan dhe Irak, Kuqi dhe disa shokë ishin lajmëruar në “Bonsdsteel” për të luftuar vullnetarisht në radhët e Ushtrisë amerikane. Nuk u lejohej rekrutimi në Ushtrinë amerikane. Por vullnetin për ndihmë komandanti i atëhershëm amerikan i Policisë së UNMIK-ut në Suharekë u kishte shtruar darkë gjashtë vullnetarëve.

Familja Kuqi, që në shtëpinë mban mozaikun me gurë të Shtatores së Lirisë, e feston çdo vit 4 Korrikun, ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

“4 Korriku e ka sjellë 17 Shkurtin”

“Pa 4 Korrikun nuk kish me ardhë as 17 Shkurti kurrë”, thotë ai. “4 korriku e ka sjellë 17 Shkurtin”. Familja e Kuqit feston 4 Korrikun, 17 Shkurtin dhe 28 Nëntorin.

Edhe amerikanët ia kanë kthyer nderin me dhurata gjatë vizitës në tokën e lirisë.

Në zemër të makinës së verdhë të tabelave të makinave të New Yorkut, shkruan MANHATTAN, derisa poshtë: “Empire State”.

“Pritja ka qenë tepër e mirë dhe e ngrohtë”, thekson ai. “Më është bërë pritje tepër e veçantë”.

E gjatë kalimit të kufirit në Maqedoninë e Veriut, kufitarët maqedonas i kërkuan që ta hiqte flamurin. Kuqi nuk lëshoi pe. Ama qëllimin e realizoi me ndihmën e KFOR-it amerikan.

“Prej 2005, tash e shtatëmbëdhjetë vjet, e mbaj flamurin amerikan në shenjë respekti mbi makinë. Dhe policët maqedonas të kufirit nuk kanë dashtë me m’lanë me hy, por fatmirësisht qëlluan ushtarët amerikanë që nuk më kanë lanë m’u kthy, dhe e kam vazhdu rrugën me flamur amerikan”, tregon Kuqi.

Kjo është një arsye më shumë pse “Amerikani”, sikurse shumëkush i referohet atij në Suharekë, e pakkush ia di emrin e vërtetë, në qytet e edhe në male e mban flamurin e Amerikës. Me shtizën vendosur në çantën e shpinës, derisa flamuri valon krenueshëm sipër kokës së ushtarit të lirisë.