Edhe një parti kërkon të lejohen qytetarët për një tjetër tërheqje nga Trusti

Pas PDK-së edhe AAK ka kërkuar që qytetarëve t’iu lejohet edhe një tjetër tërheqje e parave nga Trusti.

I pari i AAK-së Ramush Haradinaj ka thënë se qytetarët janë në gjendje të vështirë ekonomike si pasojë e rritjes së çmimeve dhe sipas tij vendimi për një tjetër lejim për tërheqje të mjeteve nga Trusti do të ishte i domosdoshëm.

“Qytetarët në Kosovë janë në një situatë tejet të vështirë ekonomike e sociale. Shtrenjtimi i artikujve elementarë për jetesë, ka shtyrë shumë kategori që të përballen gjithnjë e më shpesh me mbijetesën ekonomike”.

Haradinaj thotë se në këtë situatë të jashtëzakonshme edhe vendimet duhet të jenë të jashtëzakonshme.

“Prandaj e konsideroj si hap të parë urgjent, aprovimin e një vendimi që lejon qytetarët të tërheqin një përqindje të caktuar të mjeteve nga trusti pensional. Situata është e jashtëzakonshme, prandaj edhe vendimet duhet të jenë të jashtëzakonshme”.

Megjithatë ish-kryeministri thotë se Qeveria nuk duhet të kufizohet vetëm në këtë masë.

“Natyrisht krahas kësaj mase, qeveria duhet të mendojë edhe për masa të tjera, në këtë kohë vështirë të përballueshme për qytetarët”.

Së fundi idenë e tërheqjes së një përqindje të kursimeve nga Trusti, e ka propozuar Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës.

Ai këtë propozim e ka bërë për siç ka thënë të shtrenjtimit të rrymës dhe të gjitha produkteve të konsumit.

Me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, të nxjerrë në dhjetor 2020 nga Qeveria e Avdullah Hotit, kur qytetarëve iu mundësua të tërheqin 10 për qind të kursimeve nga Trusti, për katër muaj sa zgjati aplikimi, u tërhoqën mbi 197 milionë euro