“Mbajeni mend këtë emër” – Te Ballkani po rritet një talent i madh, shkëlqeu ndaj Llapit dhe ka kontratë historike sa i përket futbollit kosovar

Ballkani e mposhti Llapin me rezultat 1-0 në një ndeshje ku Lindon Emerëllahu befasoi të gjithë me paraqitjen e tij.

Fat në fatkeqësi për skuadrën e Ballkanit, e cila gjatë ndeshjes me Llapin e humbi kapitenin Edvin Kuç shkaku i një lëndimi, por ndoshta ky lëndim bëri që të dal në pah talenti 19-vjeçar, Lindon Emerëllahu, shkruan Gazeta Engima.

Kuç, që sigurisht është një nga më të mirët te Ballkani u lëndua gjatë pjesës së parë dhe kur u mendua se gjërat do të vështirësoheshin me largimin e tij nga loja, ndodhi e kundërta.

Emërllahu hyri në lojë dhe shfaqi talentin e tij, derisa paraqitja e djaloshit nga Suhareka u komplimentua nga trajneri Ilir Daja si dhe nga bashkëlojtarët e tij, e deri te ish-sulmuesi i Ballkanit, Mirlind Daku, që aktualisht është pjesë e ekipit slloven Mura.

Daja thuri lavde për Emërllahun pas ndeshjes me Llapin, madje duke bërë të ditur që ai do të jetë shumë i rëndësishëm për skuadrën e tij në pjesën e mbetur të kampionatit.

“Patëm mungesa në ekip pasi Edvin Kuç u detyrua të largohet nga fusha shkaku i lëndimit kurse nuk luajti fare Armend Thaqi. Mirëpo, e fituam një lojtar si Lindon Emërallhu që do të jetë i rëndësishëm për pjesën e mbetur të sezonit”, deklaroi Daja.

Emërllahu është rritur si lojtar te Ballkani dhe gjithashtu është pjesë e Kombëtares U-19 të Kosovës.

Ai ka një kontratë historike sa i përket futbollist kosovar pasi ka nënshkruar për 6 vite me Ballkanin vetëm pak ditë pasi kishte mbushur 18 vjet.

Ndryshe, Ballkani është lider i Superligës së Kosovës pas 23 xhirove ku ka grumbulluar 48 pikë, dy më shumë se Gjilani që zë vendin e dytë me 46 pikë.