Tashmë po bëhet dita e 13-të që nga fillimi i agresionit rus për pushtimin e Ukrainës.
Deri sa SHBA e BE-ja kanë kundërshtuar veprimet e presidentit rus, Vladimir Putin, në territorin ukrainas, ky i fundit nuk është tërhequr nga synimet e tij, gjë që ka detyruar shtetet perëndimore të vendosin sanksione ekonomike ndaj Rusisë, shkruan lajmi.net.
Agresionin rus në Ukrainë e ka dënuar edhe Republika e Kosovës, përmes një Rezolute të miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Në anën tjetër, pamjet e transmetuara nga Ukraina kanë prekur edhe qytetarët kosovarë, ku disa prej tyre kanë shprehur edhe gatishmëri për të luftuar përkrah forcave ukrainase kundër Rusisë.
Dy qytetarë nga Komuna e Suharekës, kanë folur për Kanal 10 në afërsi të kufirit të Ukrainës, ku kanë thënë se do të tentojnë të hyjnë në Ukrainë për t’iu bashkuar forcave ukrainase kundër rusëve.
Ata kanë thënë se megjithëse kanë pak përvojë ushtarake, pamjet që i kanë parë dhe armiku i përbashkët, janë disa nga arsyet që i kanë nxitur të udhëtojnë për në Ukrainë.
Kujtojmë se veprimi i dy kosovarëve është në kundërshtim me Ligjin në fuqi të Kosovës për pjesëmarrje në luftërat e huaja, i cili ka hyrë në fuqi në mars të vitit 2015 dhe parasheh dënime deri në 15 vite burgim për shkelësit