Disa të dhëna për fshatin Greikoc

Vendbanimi shtrihet rreth 11 km në jug të Therandës, rrëzë kodrave malore i lëshuar në pjesën e rrafshët, i tipit pjesërisht të shpërndarë.

Në këtë vendbanim jetojnë këto familje kryesore: Zenelaj, Kicaj. Beqiraj, Tafaj, Selimaj, Haxhaj etj.

Është vendbanim i vjetër. Këtu gjatë lërimit të një are më 1984, u gjet një pitas i madh i periudhës romake. Pranë xhamisë deri vonë kanë qenë themelet e një kishe ilire, mirëpo, kjo bie ndesh me thënien e popullit – gojdhënës se banorët e Grykosit kanë ardhur nga Shtatinoci para 3-4 shekujve. Pranë kishës ka pasur lisa të cilët më nuk ekzistojnë. Gjurmët e kishës janë zhdukur. Në popull flitet se këtë kishë e kanë vizituar shumë vite më herët priftërinj ortodoksë nga për qëllime të caktuara.

Në popull qëndron gojëdhëna rreth gjenezës së fshatit, ku thuhet se fshati i sotëm është themeluar (ri themeluar) para 3-4 shekujve. Banorët e këtij fshati kanë ardhur nga fshati Shtatinoc (tani i zhdukur), që gjendet 2 km në perëndim të Grykosit (Grejkocit). Sipas gojëdhënës në këtë fshat paska rënë një epidemi, kolerë, dhe shumë banorë paskan gjetur vdekjen. Kjo ndoshta ka ardhur si pasojë e ujit të dobët. Njerëzit ishin dobësuar shumë. Atyre u kishin mbetur vetëm kockat. Për t’i shpëtuar zhdukjes totale, ata të cilët kanë mbetur gjallë thonë njëri tjetrit – ngri kockat dhe ik afër malit. Si arsye ka qenë se në vendbanimin e ri, uji ishte i pijshëm, ajri i freskët dhe terreni më i përshtatshëm për banim. Prandaj, nga shprehja ngri kockat ka ardhur shprehja Grejkoc. Bile edhe sot të vjetrit e shqiptojnë Ngrikoc. Banorët kanë ardhur nga fshati i braktisur Shtatinoc.

Është karakteristike se mikrotoponimet e viseve malore janë në shqip, ndërsa ato fushore janë të përziera. Si mikrotoponime karakteri-stike janë: Dushkaja, Hija e Druve, Hija e Gjonë, Hija e Ngushtë, Kroni i Grave, Prroni i Keq, Skrepi i Madh, Skrepi i Vogël, Guri i Livadheve, Ashta e Keqe, Te Lisat e Kishës, Te Kisha e Haxhëve, Laku i Magarit, Kroi i Bardhë, Kroni i Sumbullores, Kroni n ‘Kodër, Ledina e Stanit, Rrafshi i Ufllave, Lami i Lopëve, Xhehnemi, Lami i Dhive, Guri i Orlave, Boka e Kuqe etj.

Në dokumentet e shkruara përmendet në Librin e kujtimeve të manastirit të Shën Trinës afër Mushtishtit i cili mbahej prej vitit 1465.(5) Do theksuar se te një banor shqiptar i këtij fshati kah mesi i shekullit të kaluar (shek. XIX) është gjetur një “antinim” i kishës së fshatit Dobërdelan (tani Ilirion), të cilin e ruante me kurreshtje, sepse e konsideronte kishë të vetën. Ai e barte rreth gjoksit si hajmali. Ne të ishte shënimi i vitit 1564 dhe kriptogramet teologjike.

Me emrin Krajkovce është i regjistruar në një hartë austriake. të shënimeve të vitit 1689.

Me emrin Grajkofçe, përkatësisht Krajkofc është regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h) dhe të vitit 1900 (1318 h).

Prej vitit 1912 e deri në vitin 1958 nga ky fshat migruan tri familje shqiptare (Lushaj dhe Neziraj) në Shqipëri të detyruar nga dhuna e terrori i pushtetit serb, përkatësisht jugosllav. Ndërsa, pushteti i njëjtë në anën tjetër për të realizuar qëllimin e parashtuar, dëbimin e shqiptarëve dhe kolonizimin e trevave shqiptal’e me elementin serb, në këtë vendbanim vendosi në tokat e fshatarëve shqiptarë 11 familje kolone nga i Zi dhe Serbia.(8)

Në fillim të vitit 1941, ushtarët serbë i lidhën të gjithë burrat për t’i pushkaktuar. Kmeti (kryeplaku) i fshatit Zenel Isufi i luste kot ushtarët që t’i shpëtonte shokët, serbët donin t’i vrisnin të gjithë. Kmeti e kishte vetëm një djalë, por edhe ai ishte i lidhur. Kur e kuptuan serbët se kryeplaku e kishte djalin aty, deshën ta lironin, por Zeneli u tha: O i lëshoni të gjithë, o ma vritni edhe djalin tim, se të gjithë i dua njësoj. Ushtarët vështruan njëri-tjetrin dhe në ato momente gjermanët dolën në Qafë të Duhlës, serbët ikën, fshatarët shpëtuan, ndërsa plaku i fshatit mbeti burrë i nderuar dhe me autoritet.

Shënimet statistikore:
të bazuar në shënimet statistikore rreth vitit 1879 kishte 25 shtëpi shqiptare; 
në vitin 1913 – së bashku me lagjen Muzhlak 694 banorë; 
në vitin 1918 – 59 shtëpi shqiptare me 531 banorë; 
sipas regjistrimit të vitit 1921 – 65 shtëpi me 543 banorë;
në vitin 1948 – 98 shtëpi me 765 banorë; 
në vitin 1953 – 115 shtëpi me 831banorë; 
në vitin 1961 – 129 shtëpi me 1025 banorë (1021 shqiptarë, 4 të tjerë);
në vitin 1971 – 143 shtëpi me 1369 banorë (1367 shqiptarë, 2 të tjerë); 
në vitin 1981 – 183 shtëpi me 1997 banorë (1996 shqiptarë, 1 serb).

Para agresionit të fundit serb, sipas shënimeve të marra në fshat, në vitet 1998-99 fshati kishte rreth 300 shtëpi me rreth 3150 banorë shqiptarë. Ndërsa, sipas shënimeve të Kuvendit Komunal të vitit 2000 kishte 3310 banorë. Gjatë agresionit serb në këtë fshat u shkatërruan 187 shtëpi dhe objekte të tjera përcjellëse, pastaj objekti i shkollës, ambulancës dhe minarja e xhamisë që është shkatërruar me eksploziv, si dhe pjesë tjera të saj. Janë vrarë nga ky fshat 18 banorë, nga të cilët 8 dëshmorë, 10 viktima (fëmijë, pleq, të rinj). Shumica e popullatës së fshatit janë dëbuar më 3 prill 1999 në Shqipëri.

Shtatinoci

Vendbanim i zhdukur që shtrihej rreth 3 km në veriperëndim të fshatit Grykas (Grejkoc). Sipas gojëdhënës në këtë fshat paska rënë një epidemi dhe shumë banorë paskan gjetur vdekjen dhe më vonë popullata ka braktisur fshatin. Rreth këtij vendbanimi edhe sot ka dëshmi të kulturës materiale. Aty deri vonë kanë qenë varrezat. Në atë lokalitet bujqit gjatë lëvrimit të tokës kanë gjetur plot tjegulla. Një fshatar në atë vend ka gjetur një qyp të zbrazët që mund t’i zinte 150 kg. grurë ose misër. Pleqtë e fshatit e mbajnë mend edhe familjen e fundit që ka ardhur nga fshati Shtatinoc në Grejkoc.