Ndeshjet e mëdha janë festë për dashamirët e futbollit. Ato dhurojnë emocione të papërshkrueshme, plot adrenalinë.
Por, ka edhe raste kur derbit në fund marrin një shije të hidhur.
E tillë ishte edhe loja e datës 3 prill në mes të Gjilanit dhe Ballkanit.
Ndeshja mori kthesë të papritur në fundin e takimit kur rezultati u barazua nga portieri i Gjilanit Enea Koliçi.
Pas këtij goli situata doli nga kontrolli ku tifozët u futën në fushë e për pasojë portieri i Ballkanit Stivi Frashëri, u sulmua nga tifozët.
Për pasojë gardiani i portës së Ballkanit u dërgua në spital për të marrë trajtim mjekësor.
Ngjarja kishte ngjallur reagime të shumta në opinion duke u parë si një ngjarje jashtëzakonisht e shëmtuar.
Frashëri në një intervistë për Klankosova.tv ka folur rreth sulmit ndaj tij.
Ai theksoi se mban mend vetëm momentet e para të ngjarjes.
“Të them të drejtën unë nga incidenti mbajë në mend vetëm momentin e parë, kur dikush mu hodh nga pas dhe pas më kapi nga fyti më përplasi në tokë. Pak sekonda më vonë kam ndjerë një goditje të fortë në kokë dhe pas kësaj nuk mbajë mend asgjë. Çdo gjë që kam mundur e kam parë në videot që kamerat i kanë regjistruar”.
Steve Frashëri tregon se nusja e tij ishte në shtëpi duke e ndjekur në televizor lojën kur ndodhi sulmi ndaj tij.
Ai shtoi se ajo mbeti e tronditur pas këtij akti.
“Nusja ka qenë në shtëpi duke e ndjekur lojën nga televizori. Ka qënë shumë e shqetësuar dhe e tronditur”.
Portieri tregon se pasi kishte mbërritur në spital pranë tij përveç ekipit mjekësor të Ballkanit kishin qenë edhe ekipi mjekësor i skuadres së Gjilanit.
“Të them të drejtën unë kam qenë i pavetëdijshëm. Normalisht ne kemi një nga stafet mjekësore më profesionale të mundshme, të cilët dua t’i falënderoj pa masë për kujdesjen e detajuar. Por, ashtu siç kam mësuar më vonë pranë meje është ndodhur dhe stafi mjekësor i Fc Gjilanit, gjithashtu i falënderoj”.
Ai tha se ajo çka ndodhi në Gjilan është tentativë vrasjeje, por falë zotit është mirë me shëndet.
Por, thekson se kjo tani i takon drejtësisë.
“Ajo çka ndodhi në Gjilan unë urojë mos të përsëritet për askënd. është kulmi dhe më tej kur shoh që ka njerëz që ankohen për një gol për 3 pikë, për dy ndeshje pa tifozë. Ajo çka ndodhi në Gjilan është tentativë vrasjeje. Shyqyr zotit që jam mirë me shëndet por nëse s’do të isha, çfarë do të ndodhte? Goli i shënuar do të bënte diferencën, analiza tekniko-taktike pas lojës tifozët që shfryjnë sot e kësaj dite sepse në fund të fundit është trajtuar sikur Stivi Frashëri ua vodhi pikët. është e turpshme”.
“Është diçka që i përket drejtësisë dhe unë s’mund të jap koment sepse nuk i njoh rrugët ligjore. Ashpërsimi apo lehtësimi i masave është diçka tjetër dhe të jesh njeri dhe të respektosh njerëzit është diçka tjetër. Nëse ne në vetvete se kuptojmë çfarë ka ndodhur në atë ndeshje atëherë masat të ashërsohen në maksimum prapë nuk do të jemi njerëz në fund të ditës dhe këto raste do të ndodhin sërish”.
Stivi Frashëri iu bën thirrje tifozerive që në pjesën e mbetur të kampionatit të jenë shembull, duke mbështetur ekipin e zemrës pa fyerje ndaj njëri-tjetrit.
“Mesazhi im i vetëm në këto ditë është të jemi shembulli më i mirë për pjesën e mbetur të kampionatit, korrekt edhe paqësor ashtu siç i ka hije tifozërisë së Ballkanit dhe “Xhebrailave”, të vijnë në stadium vetëm për ekipin e zemrës dhe çfarëdo që të ndodh të mbështesin fanellën, emblemën dhe klubin e tyre pa fyerje kundrejt askujt”.
Së fundmi Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës ka vendosur që ndeshja t’i takojë Ballkanit me rezultat zyrtar 0:3.
Ndërkaq, të martën më 5 prill Gjykata Themelore e Gjilanit ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy të dyshuarve që e sulmuan portierin e ekipit nga Suhareka.
“Ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit, me datë 03.04.2022, rreth orës 15:20h, në Gjilan, në stadiumin e qytetit, përderisa zhvillohej ndeshja e futbollit në mes të SC Gjilanit dhe KF Ballkanit, nën pretekstin kinse të festimit të golit të barazimit, hynë në fushën e futbollit, bashkë me një turmë të madhe tifozësh, ku bëheshin veprime huligane me gjuajtje sendesh dhe fishekzjarrë, derisa njëri i pandehur e shtyn dhe e rrëzon për toke, tjetri e godet me shqelm në fytyrë të dëmtuarin S.F., i shkakton lëndime trupore dhe rrezik të përgjithshëm për eskalimin e situatës”/Klankosova.tv.