Opozita do të kërkojë llogari nga shefi i inteligjencës, për rastin e ambasadorit Martin Berishaj

Deputetët e partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilët njëherë janë edhe anëtarë të Komisionit të Kuvendit për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, konfirmuan se do ta thërrasin në përgjegjësi shefin e AKI’së për rastin e ambasadorit Martin Berishaj, i cili ditë më parë u raportua nga mediat sllovene për përfshirje në një skandal financiarë ndërkombëtarë në shtetin e Sllovenisë, shkruan Gazeta Metro.


Thirrja në përgjegjësi e kreut të inteligjencës do të bëhet për të dëgjuar më shumë detaje në lidhje me verifikimin e ambasadorit Berishaj të bërë nga ky institucion si dhe për të kuptuar më shumë rreth këtij rasti.

Për Gazetën Metro, kryetarja e këtij komisioni, Ganimete Musliu, konfirmoj se do ta thërrasin në përgjegjësi kreun e inteligjencës kosovare për tu informuar më shumë rreth këtij rasti.

E një gjë të tillë e konfirmoj edhe shefi i Grupit Parlamentarë të LDK’së, Arben Gashi, i cili tha se qysh në mbledhjen e parë do të trajtohet kjo çështje, dhe se është duke e pritur dritën e gjelbër nga ana e kryetares së këtij komisioni.

Edhe anëtari tjetër i këtij komisioni nga radhët e partisë opozitare AAK, Bekë Berisha, konfirmoj për Gazetën Metro, se do të kërkojnë llogari nga i pari i inteligjencës kosovare.

Javën e kaluar televizioni sloven, Planet TV, raportoj për një skandal financiarë, ku i përfshirë ishte edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, me politikanin e këtij vendi Robert Golob.

Deri më tani ambasadori i Kosovës nuk ka paraqitur dorëheqje, dhe një gjë të tillë deri më tani nuk iu është kërkuar të paktën publikisht nga institucionet e vendit.

Dorëheqjen e tij është kërkuar nga partitë opozitare si dhe nga shoqëria civile./gazetametro.net