Sot rreth orës 14:00 në fshatin Makovc të komunës së Prishtinës, ka ndodhur një kanosje serioze, ku një postier e ka zënë sherri me të zotin e një shtëpie në këtë fshat, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se përderisa postieri kishte shkuar në shtëpinë e të dyshuarit (emër i njohur për redaksinë) me qëllim që atij t’ia dorëzojë një shkresë të gjykatës, për të cilën kërkohej nënshkrim personal mbi pranimin, ai u përball me sharje, fyerje e kanosje serioze për jetën.
Gjatë tentativës për të kontaktuar marrësin e shkresës në shtëpinë e tij, postieri nuk arriti që ta takojë atë personalisht, mirëpo tentoi që shkresën t’ia dorëzojë bashkëshortes së tij, e cila refuzoi pranimin pa dhënë ndonjë arsyetim.
Meqenëse shkresën nuk arriti ta dorëzojë në destinacionin e duhur, burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se pas kësaj, postieri kishte dalë nga oborri i shtëpisë në Makovc për t’u kthyer në Prishtinë.
Menjëherë pas tij është vënë i dyshuari, i cili me një ton të lartë dhe sëpatë në dorë e akuzoi postierin me fjalët se “çka është kjo shkresë? Çka po të interesojnë ty gratë e huaja?”, duke e mësyrë edhe më sëpatë. Për ta parandaluar më të keqen dhe për të ndalur konfliktin, u desh ndërhyrja e një qytetari i cili ndodhej në vendin e ngjarjes.
Sinjali mëson se ky rast është denoncuar nga postieri në Polici, i cili në mënyrë të detajuar e ka përshkruar qëllimin e shkuarjes në shtëpinë e të dyshuarit, kontaktin dhe bisedën e zhvilluar me bashkëshorten e tij si dhe detyrimin e tij për ta dorëzuar shkresën me nënshkrim personal tek i dyshuari.
Pas marrjes së deklaratës nga i dëmtuari, Policia ka identifikuar të dyshuarin, ka bërë arrestimin e tij dhe me urdhër të prokurorit, i njëjti është dërguar në ndalim policor prej 48 orësh.
Lidhur me këtë rast është iniciuar hetimi për veprën penale të kanosjes dhe i dyshuari pritet që së shpejti të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake, për të vendosur lidhur me masën e sigurimit të prezencës së tij.