Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për kërkresën për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
Kurti ka ripërsëritur qëndrimin e Qeverisë se nuk e mbështesin këtë nismë, për siç ka thënë ai shkatërrimin e Trustit Pensional.
Kurti ka thënë se vetëm 8 për qind e llogarive në Fondin Pensional (Trusti) janë përfituesit kryesor të propozimit për tërheqjen e kursimeve dhe se po manipulohet me propozimin e dërguar në Kuvendin e Kosovës.
“Nga mbi 630 mijë llogari që janë të hapura, 92 përqind e tyre kanë të akumuluara më pak se 10 mijë euro, kurse 80 përqind, apo mbi 500 mijë sosh kanë në mesatare vetëm 1 mijë e 100 euro në llogari. Një 1.2 përqind e individëve që kanë llogari në trust kanë mesatarisht 30 fish më shumë se 80 përqind e qytetarëve me llogari në trust.
Këta 8 përqind do të ishin përfituesit kryesor të një skeme të rrënimit të trustit pensional. Janë këta që kanë sjellë këtë propozim në Kuvend dhe janë këta që po keqpërdorin rrjetin medial për të manipuluar opionionin këta që po manipulojnë me konceptin e varfërisë që nuk bëjnë pjesë vet, për të arritur qëllimet e tyre. Mjetet në Trustin Pensional nuk janë për tash por kur të plakemi dhe nuk mundemi që një problem të përkohshëm tani ta zgjidhim me një rrënim”, u shpreh Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Kryeministri tha se nga ana e deputetit Bekim Haxhiu, po manipulohet për tërheqjen e kursimeve.
“Nuk mund të lejojmë që edhe ta humbim të ardhmen por edhe të mos e fitojmë të tashmen. As shtetet me nivelin më minimal të seriozitetit nuk diskutojnë për opsionin e rrënimit të Trustit Pensional. Ne mbase jemi brezi i parë që mund të ketë shoqëri të dinjiteshme, nëse këtë e rrënojmë edhe sot për një problem afatshkurtë atëherë edhe ne po e rrënojmë. Nuk është e rastësishme që kjo nismë ka ardhur nga një deputet i opozitës i cili duke komentuar deklaratën e FMN ka thënë se po të donte FMN do të na jepte mjete ti shpërndanim te qytetarët. Ja se kush po merret me financa e ekonomi.
Pasojat e të cilit nuk kemi pse i bartim ne, por vetëm një person. Fondi nuk ekziston për ta zbrazur. Janë të njëjtit që e kanë sjellë vendin në këtë gjendje dhe tash po dëshirojnë që edhe ato pak të mira që ekzistojnë ti rrënojnë. Ne nuk kemi si e mbështesim një nismë të tillë, edhe kur e kemi kundërshtuar herën e parë kemi dhënë jemi kundër sepse e dimë se hapet dera për nisma të tjera të tilla. E ritheksoj se Qeveria e Kosovës nuk e mbështet një nismë të tillë”, tha Kurti.