Gazetari Kushtrim Reshitaj ka disa fjalë për ikonën e basketbollit Suharekas

Gazetari nga Suhareka, tifozi i zjarrtë i Yllit dhe Ballkanit para ndeshjës Trepça – Ylli ka shkruar një status emocionues për ikonën e basketbollit Suharekas Agron Berisha.

Pa e zgjatur më shumë, po ju lëm ta lexoni në vazhdim statusin e Kushtrimit:


Para ndeshjes YLLI – Trepça

Agroni mbetet ikona e basketbollit në Suharekë, njeriu që e shtroi rrugën e mentalitetit basketbollistik, të gjeneratave ndër vite.

Njeriu që djersiti fanellen e YLLIT më shumë se çdo tjetër, njëri nga lojtarët më të mirë të gjeneratës së tij në Kosovë, “shtatshkurtëri” që me depërtimet e tij, i bënte pikë e pesë qendrat gjigante që luanin në Kosovë, të huaj e vendor, derisa ishte makineri unike e trepikëshve.

Por asnjëra nga këto tipare nuk ka peshë më shumë se virtyti kryesor që e ka karakterizu gjithmonë atë, besnikëria për klubin. Pavarësisht që bashkë me Artan Mehmetin aso kohe ishin play-at më të mirë të ligës, Agroni nuk shkoi asnjëherë askund, gjithë karrieren e tij si basketbollist e trajner, e kaloi në YLLI.

Agroni ishte pjesë e YLLIT kur klubi mezi mbijetonte, Agroni ishte pjesë e YLLIT kur tek ne erdhën edhe emra të mëdhenjë të asaj kohe, siç ishte Bekim Maxhuni apo aeroplani (ndër amerikanët e parë në Kosovë) Erin Galoway.

Agroni ishte në YLLI edhe kur gjeneratat e reja kishin nevojë për të, siç ishin dikur edhe Rolandi e Krenari, por ai ishte në klub edhe kur nisi ndërtimi i projektit afatgjatë, nga i cili sot edhe janë kurorëzuar sukseset.

Në këtë fotografi, pos tij, gjendet edhe ikona e tifozërisë, Koba, i cili në të gjitha etapat, në të mirë e në të keq, ka qëndruar aty, ku klubet tona kanë zhvilluar ndeshjet.

Prandaj, unë si tifoz besnik i skuadrave të qytetit, pavarësisht që jam falenderues ndaj secilit njeri që ka dhënë dhe po jep kontribut tek YLLI, kënaqësinë më të madhe e gjej pikërisht kur rri me njerëz të tillë, që para së gjithash, e dashurojnë klubin me shpirt.

Forca YLLI jonë, o zemra jonë 💛🖤
Nesër kismet në Mitrovicë për ty, me zemrën plot dashni 🧡🖤