Kërcënohet me armë zjarri para shtëpisë së tij 20-vjeçari në Suharekë

Një rast i kërcënimit me armë të zjarrit ka ndodhur dje në fshatin Mushtisht të Suharekës, ku viktimë është një 20-vjeçar, raporton Gazeta Sinjali. 

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur për Sinjalin se rasti është denoncuar në Polici në orët e pasdites dhe dyshohet të ketë ndodhur në rrugën “Isuf Demiri”. 

I riu u përballë me një person, të veshur në të zeza, e me armë në duar, posa doli nga shtëpia e tij. Në mes të rrugës, i dyshuari ia ka drejtuar armën e zjarrit viktimës dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. 

Nga frika që mund ta pësojë keq, 20-vjeçari ka arritur që të kthehet sërish në shtëpi dhe më pas ka njoftuar Policinë. 

Me t’u denoncuar rasti, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të mbledhur informacione që çojnë në identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. 

Ndërkohë, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve dhe inicimin e rastit.