‘Ndrysho deklaratën në Polici, ose me ty merret dikush tjetër’/ 45-vjeçarja kërcënohet në vendin e saj të punës në Suharekë

Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur hetimet për një rast të kanosjes, që është denoncuar nga punëtorja e një kompanie në Suharekë, gjatë ditës së djeshme, raporton Gazeta Sinjali. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në vendin e saj të punës, ku ishte ballafaquar me një person, i cili e kishte kërcënuar për një rast të mëhershëm. 

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari K.K., i ka bërë presion viktimës për ta ndryshuar një deklaratë, të cilën ajo e kishte dhënë më herët në Polici, për një rast ku ishte i përfshirë vëllai i të dyshuarit. 

Në deklaratën e dhënë në Polici, ajo ka ta përshkruar se si fillimisht pati një debat me të dyshuarin, derisa mosmarrëveshja kaloi në kërcënime, kur i njëjti iu ishte drejtuar me fjalët “Duhet ta ndryshosh deklaratën e dhënë në Polici brenda pesë dite, ose me ty merret dikush tjetër”. 

E shqetësuar për situatën me të cilën u përball, viktima u detyrua ta njoftojë Policinë, në mënyrë që të kapet i dyshuari. 

Pasi hetuesit kanë kontaktuar të dyshuarin, i njëjti ka deklaruar se ka qenë i mllefosur gjatë debatit me ankuesen dhe se nuk ka dashur ta kërcënojë atë. 

Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tij të nisin hetimet për “kanosje”.