Për 8 ditë një grup i qytetarëve të Kosovës kanë mbledhur më shumë se 20 mijë nënshkrime për lejimin e tërheqjes së 30% të Trustit.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka folur për Indeksonline lidhur me procedurat që duhet ndjekur në mënyre që ky projektligj të shkoj në Kuvend për miratim.
Haxhiu nuk ka dhënë ndonjë afat se a do të mund të shqyrtohet ky projektligj para se Kuvendi të shkoj në pushim, pasi kjo, sipas tij, varet nga votimi i Qeverisë.
“Pas sigurimit të mbi 10 mijë nënshkrimeve, sipas ligjit për Nisma Legjislative, nënshkrimet me projektligj dorëzohen në Kuvend. Pastaj duhet bëhet verifikimi i nënshkrimeve nga KQZ për 15 ditë dhe shkon për kalim në Qeveri dhe kthehet për votim në Kuvend si çdo projektligj tjetër. Janë mbledhë më shumë se 20 mijë nënshkrime për 8 ditë dhe dje është përmbyllë procesi i mbledhjes së nënshkrimeve, është siguruar dyfishi i nënshkrimeve të nevojshme për të proceduar sipas ligjit për Nisma Legjislaitve dhe tash shkon në Kuvend”, ka thënë Haxhiu për Indeksonline.
Ai ka thënë se tërheqja e një pjesë të Trustit është kërkesë e qytetarëve dhe deputetët janë të qytetarëve.
Kujtojmë se me kundërshtimin e deputetëve Vetëvendosjes, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar projektligji i cili i mundëson qytetarëve tërheqjen së 30% të Trustit.