U fjalosën te berberi, 27-vjeçarin e godasin me veturë e më pas me çekan në kokë – të dyshuarit në arrati

Një mosmarrëveshje e mëhershme me një person, ka bërë që një 27-vjeçar në fshatin Strofc mbrëmë të përfundojë në spital si pasojë e lëndimeve të marra nga një përleshje me disa persona.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka nisur në lokalin e një frizeri, ku palët e përfshira vetëm ishin fjalosur, por që sipas pronarit të lokalit, 27-vjeçari dyshohet se u sulmua nga tre persona pasi doli nga aty.

Dyshohet se njëri nga të dyshuarit e ka goditur me veturë 27-vjeçarin, i cili është rrëzuar e më pas është goditur me çekan në kokë nga i dyshuari tjetër.

Si pasojë e kësaj, i riu vushtrrias ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Policinë e Kosovës.

Njësitet policore janë vënë në lëvizje për të arrestuar personat e dyshuar, por që të njëjtit ende nuk janë kapur.

Me vendim të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Lëndim i lehtë trupor’.