17-vjeçarja nga Suhareka denoncon në Polici se një burrë e ngacmoi seksualisht në kafeteri dhe në rrugë

Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur hetimet për një rast të ngacmimit seksual, pas denoncimit të një 17-vjeçareje nga Suhareka, e cila po pretendon se është ngacmuar nga një burrë, në njërën nga kafeteritë e qytetit, raporton Gazeta Sinjali. 

Siç mëson Sinjali, e mitura ka deklaruar në Polici se ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, derisa ishte në lokal, ku pretendon se i dyshuari e kishte ngacmuar duke bërë me shenja dhe duke i shkuar nga mbrapa.  Përveç këtij rasti, ajo ka njoftuar Policinë se edhe në rrugët e fshatit ku vajza jeton, i njëjti iu është shfaqur duke i kërkuar që të bisedojë me të.  

Përballë kësaj situate, ajo ka vendosur të kërkojë ndihmë nga Policia, duke e denoncuar rastin. Posa stacioni policor ka marrë informacionin, zyrtarët policorë e kanë shoqëruar të dyshuarin, i cili është deklaruar para hetuesve për denoncimin kundër tij. 

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale “ngacmim seksual” dhe mbetet që gjatë procesit të hetimeve, të shihet nëse vërtetohen apo jo pretendimet e saj.