33-vjeçarja në Suharekë denoncon burrin për dhunë në familje, thotë se shumë herë është ngujuar në shtëpi

Rastet e dhunës në familje përditë e më shumë rriten në vendin tonë. Viktima janë kryesisht gratë të cilat shpesh hezitojnë të raportojnë në Polici dhunën që përjetojnë nga bashkëshortët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë  ka ndodhur sot në fshatin Vraniq të komunës së Suharekës, ku një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje.

Sinjali mëson se ajo dhe i dyshuari kanë tre fëmijë së bashku dhe gjatë pesë viteve martesë, ka përjetuar maltretime psikike nga bashkëshorti i saj. 33-vjeçarja ka bërë të ditur se shpesh ka përfunduar e mbyllur me çelës në shtëpinë e tyre, pa dëshirën e saj.

Ajo ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi ka thënë se nuk ndihet e sigurt që të vazhdojë bashkëjetesën me të dyshuarin, njëherit ka kërkuar që të strehohet në strehimore bashkë me fëmijët.

Ndërkohë i dyshuari nuk është hasur nga Policia, pasi që i njëjti nuk ndodhej në shtëpi.

Me vendim të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Dhunë në familje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.