Vjedhje e rëndë në Suharekë: Hajnat hyjnë në një shtëpi dhe vjedhin armë zjarri dhe orë dore

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër banesa, shtëpi, institucione financiare, vetura e dyqane, duke shkaktuar humbje e pasiguri.  Së fundmi, një rast i tillë, ka ndodhur edhe në një shtëpi në fshatin Shirokë të komunës së Suharekës, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se në bazë të dëshmisë së pronares së shtëpisë, hajnat kanë depërtuar brenda përmes dritares, me ç’rast kanë vjedhur armë zjarri e orë dore.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për një pushkë gjuetie me leje, një pistoletë dhe katër orë dore, të cilat janë në pronësi të bashkëshortit të ankueses.

Sipas pronares, familja nuk ka qenë në shtëpi kur ka ndodhur vjedhja, prandaj edhe nuk dihet data dhe koha e saktë se kur kanë hyrë hajnat.

Me vendim të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’.