Ky është i burgosuri që vdiq në QKUK, vuante dënimin në burgun e Dubravës

Dje u raportua për vdekjen e një të burgosuri të Dubravës, i cili ndërroi jetë dje në Klinikën Intensive të QKUK-së, ku ishte dërguar për shkak të gjendjes shëndetësore. Për vdekjen e tij tashmë kanë nisur hetimet, me ç’rast trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

Burimet nga Klinika kanë bërë me dije se i burgosuri që vdiq të shtunën është Bajram Shala, 59-vjeçar, i cili kishte qenë në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës. 

Për shkak të komplikimeve, ai ishte dërguar në këtë qendër spital për trajtim mjekësor, por dje në orët e pasdites spitali e njoftoi Policinë se ai ka vdekur. 

Pas marrjes së informacionit, njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, prej ku është tërhequr trupi i të ndjerit. Me vendim të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti si “hetim mbi vdekjen” dhe trupi është dërguar në IML, që të gjendet shkaktari i vdekjes së 59-vjeçarit.