Turizmi malor jo rrallë shihet si shpëtim ekonomik për shumë familje kosovare. Bjeshkët e vendit tonë ofrojnë resurse të shumta, por ende nuk shfrytëzohen sa duhet për shkak të mungesës së infrastrukturës.
Bjeshkët e Dellocit në Suharekë quhen ndryshe Bjeshkë të Buta, pasi terreni ka ujë të mjaftueshëm. Vitet e fundit banorët e komunës së Suharekës kanë filluar të ndërtojnë shtëpi pushimi dhe ta rikthejnë gjallërinë në këtë rajon.
Duke shpresuar në përmirësimin e infrastrukturës, banorë të tjerë kanë filluar të investojnë edhe në objekte biznesore.
Vite më parë, komuna e Suharekës dhe Qeveria e Kosovës nisën projektin për lidhjen e komunës së Suharekës me atë të Shtërpcës. Por, rritja e çmimeve në tregun e materialeve kanë bërë që punimet të ndalen.
Rruga për në bjeshkët e Mushtishtit do të financohet nga institucionet lokale, thotë Muharremaj.
Një përqindje e konsiderueshme e bjeshkëve të Suharekës hyn në parkun Nacional të Sharrit, ndërsa pjesa tjetër janë prona private. Për të ndërtuar shtëpitë e pushimit do të ketë një plan rregullues, thotë kryetari i komunës Bali Muharremaj./RTK