Gjykata Themelore në Prizren, të hënën ka shpallur aktgjykim dënues për të akuzuarin, Sylejman Ahmeti, duke e dënuar me 24 vite e 10 muaj burgim ku akuzohet se privoi nga jeta të ndjerin Sh.K.
Aktgjykimin e ka shpallur kryetarja e trupit gjykues, gjykatës Teuta Krusha, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Ahmeti akuzohej për vrasje të rëndë për të cilën vepër gjykata i ka shqiptuar dënimin me burg në kohëzgjatje prej 24 vite kurse për veprën mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve i është shqiptuar dënimi me burg në kohëzgjatje prej 1 viti.
Me këtë rast gjykata në bazë të nenit 76 të KPPK ka shqiptuar dënimi unik prej 24 vite e 10 muaj.
Të akuzuarit Ahmeti i është konfiskuar arma AK-47.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh.
Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren e ngarkon Sylejman Ahmetin se privoi nga jeta tani të ndjerin Sh.K, më 26 janar 2020, në kafenenë “Toni” në fshatin Maqitevë të Komunës së Suharekës, pronë e Liman Aliut./BetimiperDrejtesi