Hajnat hyjnë brenda shtëpisë në Suharekë, vjedhin para të gatshme e stoli ari në vlerë të 12 mijë eurove

Një fenomen mjaft shqetësues në Kosovë janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër banesa, shtëpi, institucione financiare, vetura e dyqane të qytetarëve, duke shkaktuar humbje e pasiguri.  Së fundmi, një rast i tillë, ka ndodhur edhe në fshatin Reshtan të Suharekës, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se persona të panjohur kanë hyrë me forcë brenda një shtëpie ku nuk ndodhej askush, teksa familjarët me të kthyer aty kanë parë se dritarja është e dëmtuar.

Ata menjëherë kanë kërkuar ndihmën e Policisë, teksa kanë parë hallakamën që hajnat kanë krijuar në shtëpi.

Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që çojnë në zbardhjen e rrethanave se si ka ndodhur rasti, teksa sipas burimeve vlera e dëmit të shkaktuar nga vjedhja e parave të gatshme dhe stolive ari, është rreth 12 mijë euro.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera hetimore do merren posa të identifikohen personat e dyshuar.