Bartja e armëve të zjarrit me vete është shndërruar në një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që çdo ditë Policia has në personat që mbajnë armë pa leje, gjë që vazhdimisht po e cenon sigurinë e qytetarëve të vendit si dukuri negative. Një rast i tillë është zbuluar edhe dje në Suharekë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se deri te zbulimi i të dyshuarit kanë ardhur përmes bashkëshortes së tij, e cila kishte njoftuar Policinë se burri i armatosur është nisur të sulmojë vëllain e saj.
Njësitet policore me të marrë informatën janë vënë në lëvizje për të parandaluar të keqen që mund të ndodhte, me ç’rast kanë arritur ta arrestojnë personin e dyshuar.
Gjatë kontrollit trupor, Policia ka gjetur në xhepin e pantallonave të 37-vjeçarit disa fishekë, ndërsa në veturë i është gjetur një pushkë, të cilat janë konfiskuar.
Ndërkohë është kryer bastisje edhe në shtëpinë e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe konfskuar fishekë dhe mjete tjera.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armës” dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.