Një ngjarje e trishtë ka ndodhur pasditen e djeshme në rrugën “Xhavit Bajraktari” në qytetin e Suharekës, ku një 24 vjeçar dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës së tij, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Spitalit Rajonal të Prizrenit kanë bërë të ditur se kanë pranuar në kujdes dhe trajtim 24-vjeçarin, i cili kishte tëntuar t’i jap fund jetës së tij duke konsumuar sasi të pakontrolluar të sedativëve, por fatmirësisht ka arritur t’i shpëtojë më të keqes.
I riu paraprakisht kishte marrë ndihmën mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Suharekë, por për shkak të nevojës për pastrim (lavazh) të lukthit dhe trajtim me mbikqyrje të afërt nga profesionistët shëndetësor, ai është transferuar në spitalin e Prizrenit.
Për rastin janë njoftuar dhe policia, të cilët kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme në kuadër të procedurave për raste të tilla, duke harmonizuar veprimet hetimore edhe me prokurorin e shtetit.