Përdorimi i substancave narkotike ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë. Ato po përdoren me të madhe, sidomos nga të rinjtë të cilët shpesh kapen në flagrancë nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar të enjten pas mesnate, ku gjatë patrullimit në fshatin Sopi të Suharekës, Policia ka ndalur një veturë në të cilën ndodheshin dy persona.
Sinjali mëson se gjatë kontrollit te të dyshuarit kanë gjetur dhe sekuestruar substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë ku rreth 20 doza prej tyre ishin fshehur në dy pako të cigareve.
Kjo ka bërë që të dyshuarit të arrestohen menjëherë, me ç’rast janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Para hetuesve policorë 22 dhe 19-vjeçari kanë deklaruar se janë përdorues të narkotikëve dhe drogën që u kap nga Policia e kishin blerë nga një person i panjohur në Prizren.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar “Posedim i paautorizuar i substancave narkotike, psikotrope ose analoge”.