Telashet familjare shpesh herë kalojnë muret e shtëpive, për shkak të eskalimit të situatës ku nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në fshatin Mushtisht të Suharekës, ku të përfshirë janë babai dhe vajza e tij 37-vjeçare.
Sinjali mëson se për motive ende të panjohura, mes tyre kishte plasur një debat i cili ka pasuar me kërcënime nga i moshuari që kërcënoi me jetë vajzën e tij.
Në diskutim e sipër, 71-vjeçari ka nxjerrë nga çorapet e tij një thikë me të cilën ka kërcënuar se do ta presë 37-vjeçaren dhe i është vërsulur ta godas atë.
Përballë kësaj situate e cila i ngjalli frikë e shqetësim, gruaja denoncoi babain e saj për dhunë në familje, ku ndër të tjera deklaroi se ai është recidivist i kësaj vepre.
Njësitet policore me të marrë informatën kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku gjatë kontrollit trupor, tek i moshuari kanë gjetur dhe konfiskuar thikën me të cilën dyshohet se kërcënoi të bijën. Ai më pas u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, i moshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.