Shikuesit e “RTV 21”, e njohin mirë prezantuesen dhe gazetaren Myrvete Qerkezi, e cila ka prezantuar formate të ndryshme televizive.
Prezantuesja, përmes një shkrimi të lënë në faqen e saj në Facebook, tregon se po largohet nga Kosova, drejtë një rruge me shpresa më të mëdha, transmeton kosovarja.
“Ne të tre, drejt një rruge të gjatë. Drejt një rruge me shpresa të mëdha për një kapitull të ri e më të mirë në jetën tonë.
Jam e vetëdijshme deri në qiell se do të na mungojë ky vend me të mirat e të këqijat që i ka.
Në këto momente të ndjeshme dua t’i kujtoj vetëm të mirat që mi dha Kosova.
Ky vend mua personalisht më ofroi shumë mundësi. Isha me fat që dita me i shfrytëzua dhe realizuar shumicën nga ato mundësi. Isha me fat që pata rreth meje njerëz të mirë që më ndihmuan dhe më mbështetën në realizmin e ëndrrave të mia.
Në rrafshin profesional dhe të jetës sime në përgjithësi.
Krenohem me shoqërinë që pata. U jam falënderuese, mirënjohëse e kurrë nuk do t’i harroj.
Isha e bekuar që u rrita dhe u edukova në këtë vend.
Isha me fat që pata pranë familjen time që më përkrahu gjithandej ku pata nevojë. Më qëndruan afër dhe më dhuruan dashurinë prindërore e familjare pa të cilën zor se do t’ia arrija.
Sa e madhërishme qenka mbështetja e familjes. Sa sublime qenka dashuria që ta dhuron familja.
E tani, teksa po ndahem nga Kosova ime e dashur e po shkoj shumë larg saj për të jetuar, nga zemra i shprehi dëshirën time të pafundme se do ta vizitoj sa herë të më jepet mundësia.
Këtë vend të dashur për mua nuk do ta lë të më mbetet vetëm pjesë e ëndrrave të mia.
Miq të dashur!
Ju kolegë të mi të respektuar!
Familja ime që më je zemra e shpirti im!
E ti Kosova jonë e dashur!
Ju pafsha të qeshur, të hareshëm, të gëzuar e duke lulëzuar çdo ditë të lume!”