Plas sherri në restorant në Bukosh/ Pronari dyshohet se e sulmoi klientin: Ai klloshar ka bo problem

Një incident mes dy personave ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në një restaurant në fshatin Bukosh të Suharekës. I dyshuar për këtë rast është pronari i restorantit, i cili sipas informacioneve të para e ka sulmuar fizikisht një klient në hapësirat e lokalit, raporton Gazeta Sinjali.

Siç mëson Sinjali, ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites, kur i dyshuari K.S është denoncuar nga viktima I.K., nën dyshimet se e ka goditur me një copë dru dhe i ka shkaktuar lëndime trupore. Për pasojë, ai ka marrë trajtim mjekësor në QKMF-në e Suharekës

Viktima ka deklaruar para hetuesve policorë se është sulmuar nga pronari në momentin që ka dalë në oborrin e restorantit. 

Motivet e sulmit janë ende të panjohura, ndërkohë që rasti është konfirmuar nga Policia. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është liruar dhe ndaj tij është iniciuar rasti si “lëndim i lehtë trupor”. 

Gazeta Sinjali ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga pronari, i cili pas thirrjeve të Sinjalit është lajmëruar vet. 

“Ai klloshar ka bo problem këtu”, teksa ka refuzuar të jap versionin e tij dhe ka kërkuar që të mos raportohet ky rast. 

“Unë po them që nuk e kam sulmu, mos e hedhni në gazetë. Unë qishtu po iu them. Po hajt publikoje”, tha ai.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Burimi: Gazeta Sinjali