Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje, që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.
Lajmin e ka bërë të ditur shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili ka deklaruar se kjo marrëveshje do të mundësojë që qytetarët e Kosovës dhe Serbisë të lëvizin me letërnjoftimet përkatëse.
“Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Serbia është pajtuar që të heqë dokumentet për hyrje-dalje për qytetarët me letërnjoftime të Kosovës dhe Kosova është pajtuar që të mos lëshojë dokumente të tilla për qytetarët që posedojnë karta të identitetit të Serbisë. Serbët e Kosovës, por edhe të gjithë qytetarët, do të mund të lëvizin lirshëm mes Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo ka marrë garanci nga kryeministri Kurti për këtë çështje”, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter.
Marrëveshja erdhi si rezultat i përpjekjeve të diplomatëve të Amerikës dhe të BE-së, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, të cilët përmes vizitave në të dyja vendet, kërkuan nga Kosova dhe Serbia arritjen e një marrëveshjeje dhe shmangien e dhunës në veri të Kosovës.
Duke komentuar lidhur me këto zhvillime, eksperti i çështjeve të sigurisë Hajrullah Tërnava, ka thënë se mbetet për t’u parë me 1 shtator se a do të ketë tensione lidhur me vendimin për targa.
“Bisedimet mes Serbisë-Vuçiq dhe Kosovës-Kurtit, që po i ndërmjetësojnë ndërkombëtarët nga Washingtoni, Escobar dhe Lajçak nga BE-ja, që me datën 18 gusht u takuan në Bruksel, dhe marrëveshjet që u arritën ende nuk janë bërë publike, por supozohet se Qeveria e Kosovës do të fillojë zbatimin e reciprocitetit me Serbinë, për targat e veturave. Tani kur deri me 1 shtator kanë mbetur edhe pak ditë, mbetet për t’u parë se a do të ketë incidente apo tensione lidhur me këto dokumente apo ndonjë mosmarrëveshje definitive”, ka thënë Tërnava, në një bisedë për gazetën “Bota sot”.
Ai ka rikujtuar deklaratën e emisarit special për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, se Kosova dhe Serbia e kanë vendin në BE.
“Ndërkohë, Escobar ditë më parë ka pasur takime të përsëritura për këtë çështje me kryeministrin Kurti dhe sot me kryetarin Vuçiq, i cili dyve iu ka preferuar që mos të ndodhin incidente apo eksese lidhur me targat e veturave si dhe te dokumenteve, sepse e ardhmja e dy vendeve Serbi-Kosovë është në bashkësinë Evropiane, dhe sa më parë të pretendohet të anëtarësohen në këto institucione të BE-së, aq më parë do të zhvillohet edhe regjioni i Ballkanit të tanishëm”, ka theksuar Tërnava.
Beogradi pranoi dokumentet e Kosovës, por sipas ish-zëvendësministrit të Brendshëm, nuk u bë i ditur se cilat ishin kushtet e tij.
“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, lidhur me vendimet për dokumentet serbe, kërkoi që nga ky vendim të përjashtohen serbët që jetojnë në Kosovë. Ai poashtu tha se Beogradi mund t’i pranojë dokumentet e Kosovës, por për këtë ka kushte, e që nuk u deklarua se cilat janë ato kushte, por supozohet në ato pretendimet e tij që pjesa e veriut t’i takojë Serbisë”, është shprehur Tërnava për “Bota sot”.
“Sipas vendimit të mëhershëm të Qeverisë së Kosovës, nga 1 shtatori të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hynin në Kosovë do të pajiseshin me një dokument hyrje-dalje, sikur që Serbia i lëshon ato dokumente qysh nga viti 2011. Ndërkaq, vendimi për targat serbe konsiston në regjistrimin e tyre të regjistrimit te Kosovës në RSK (Republika e Kosovës ). Targat sikur PR, UR, KM, PZ konsiderohen si të jashtëligjshme dhe kërkohet që ato targa të tilla të konvertohen në RKS brenda një periudhe prej 61 ditësh. Serbia ka kërkuar që këto targa të zëvendësohen me targa të mëhershme KS, që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës, por kjo është kundërshtuar nga Kryeministri Kurti.”
Palët nuk kanë arritur ende marrëveshje për çështjen e targave dhe vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitet, pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator.
“Marrë në tërësi ka gjasa se vendimet e marra mund të fillojnë të përfillen dhe të jetësohen dhe pritet zbatimi i tyre, 1 shtatori pritet me padurim që të vërtetohen përpikëshmëria e zbatimeve të këtyre vendimeve”, ka shtuar Tërnava.
Marrëveshja e arritur sot mes Kosovës dhe Serbisë, nënkupton se Serbia, pas 11 vjetësh, do të ndalë së lëshuari dokument për hyrje-dalje për shtetasit e Kosovës, kur ata hyjnë në territorin e saj.