Rreth 10 mijë euro u raportuan si të vjedhura gjatë ditës së djeshme nga pronari i një shtëpie në Savrovë të Suharekës. Ai deklaroi se hajnat kanë hyrë në shtëpinë e tij dhe kanë vjedhur paratë, derisa dera ishte e hapur. Por pa u bërë 24 orë nga denoncimi i rastit, ai u paraqit sërish në Polici.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se këtë herë ai shkoi në stacion policor për t’i njoftuar hetuesit se i ka gjetur paratë, në një pjesë të shtëpisë. Ende nuk dihet nëse të hollat kanë qenë aty edhe para raportimit të rastit, apo janë dërguar më pas.
Njësia policore ka dalë sërish në vendin e ngjarjes, ku pronari i ka paraqitur paratë, që janë fotografuar nga hetuesit. Sinjali mëson se Prokurori i Shtetit ka urdhër që të mbyllet ky rast.
Ndryshe, pronari fillimisht kishte raportuar se hajnat kanë vjedhur nga shtëpia e tij rreth 9500 euro para të gatshme e qindra euro franga e dollarë.