Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka kërkuar nga Qeveria që ta pranojë planin e tyre dhjetëpikësh për përballjen me krizën energjetike.
“Kriza energjetike në vend po shkon duke u thelluar, ndërsa ne si LDK do të vazhdojmë pareshtur t’i bëjmë thirrje Qeverisë që të pranoj planin dhjetëpikësh, të cilin e vlerësojmë shpëtues për qytetarët”, thuhet në komunikatë.
LDK thotë se blloqet e KEK-ut “po bien në mënyrë të vazhdueshme si pasojë e keqmenaxhimit të Qeverisë”.
“Si pasojë e keqmenaxhimit të Qeverisë po bien edhe blloqet e KEK-ut në mënyrë të vazhdueshme, me ç’rast po bie edhe mirëqenia e qytetarëve deri në limitet e mbijetesës. Ende pa u rregulluar Blloku A5, bie Blloku A3, duke bërë kështu që KEK-u të mos prodhojë as gjysmën e kapacitetit të tij, ku 530 MËh janë jashtë prodhimit. Në këtë kontekst, i bëjmë thirrje Qeverisë që të pranoj planin tonë dhjetëpikësh dhe t’i shpëtoj qytetarët, sepse me qasjen e saj të deritanishme po e shpien vendin drejt katastrofës energjetike”, thuhet në komunikatë.
Ky është plani dhjetëpikësh i LDK-së:
I. Pagesa e menjëhershme e subvencioneve të premtuara prej 90 milion euro për çmimin e energjisë elektrike.
II. Riparimi i Bllokut A5 i Termocentralit Kosova A.
III. Krijimi i mekanizmave për furnizim me burime alternative për ngrohje me çmime të përballueshme për qytetarët.
IV. Përgatitja e planit të efiçiencës dhe kursimit të energjisë.
V. Negocimi i kontratave afatgjate për furnizim me energji.
VI. Zbritja e TVSH-së nga 8% në 0% për faturat e energjisë.
VII. Krijimi i subvencioneve të reja për qytetarët dhe bizneset.
VIII. Largimi i tarifave diskriminuese të ZRrE-së.
IX. Themelimi i bursës së përbashkët për energji Kosovë-Shqipëri.
X. Përgatitja e Strategjisë afatmesme për rritjen e kapaciteteve gjeneruese me gaz dhe energji alternative.