Munishi e vlerëson të fituar derbin e ardhshëm me Ballkanin


Pas fitores në udhëtim te Llapi, trajneri i Prishtinës, Ismet Munishi po e llogarit të fituar edhe një ndeshje tjetër derbi në kuadër të Superligës së Kosovës. Prishtina këtë vikend e pret kampionin në fuqi, Ballkanin në duelin e xhiros së pestë. Kjo do të jetë ndeshja e parë që Prishtina e luan në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.

E trajneri Munishi tashmë këtë derbi po e konsideron të fituar. Ai insiston se ndeshjen kundër Ballkanit, e kanë për detyrë t’ia fitojnë “Plisat” dhe të gjithë tifozët e vërtetë të Prishtinës. Madje, në këtë derbi, Munishi pret që stadiumi të jetë i stërmbushur në përkrahje të ekipit të tij. Insiston se nuk do ta marrë përgjegjësinë për asnjë rezultat tjetër veç fitoren, të cilën duhet t’ia fitojnë tifozët.

“Ballkani është një ekip shumë i fortë. Këtë ndeshje pres që ta fitojnë ‘Plisat’ dhe tifozët e vërtetë të Prishtinës. Unë e kam sjellë deri këtu punën, ndërsa tani atyre u mbetet për ta fituar ndeshjen me përkrahjen e fuqishme nga tribunat. Pra, pres që stadiumi të jetë i stërmbushur dhe në tribuna të jenë mbi 10 mijë tifozë”, është shprehur Munishi të hënën për KOHËN. “Këtë ndeshje e llogariti të fituar qysh tash. Nuk marrë përgjegjësi për asnjë rezultat tjetër, pasi punën time e kam kryer deri këtu. Tash është radha e tifozëve të Prishtinës për të ma fituar këtë derbi, të cilin tashmë e konsideroj si të fituar”.

Nën drejtimin e Munishit, i cili mori Prishtinën para fillimit të këtij edicioni, skuadra nga kryeqyteti ka pasur një start të mirë këtë edicion. Në tri ndeshje të luajtura, të gjitha në udhëtim, Prishtina ka tubuar shtatë pikë. Ka mposhtur Dukagjinin e Llapin (2:1), ndërsa ka luajtur pa gola ndaj Ferizajt. Në anën tjetër, Ballkani ka dy ndeshje të luajtura deri më tani, dhe të dyja i ka fituar në stadiumin “Fadil Vokrri”. Munishi thotë se ka pritur një start të tillë të Prishtinës, por insiston se është dashur të jenë nëntë pikë, dhe jo shtatë. Sipas tij, Prishtina është dashur ta fitojë edhe ndeshjen me Ferizajn, por thotë se vonesa në sistemin VAR për gati 15-të minutash ndikoi.

“Faktikisht, është dashur të fitojmë edhe në Ferizaj dhe tani t’i kemi pikët maksimale nga tri ndeshje të luajtura. Mirëpo, vonesa në VAR e bëri të veten”, ka thënë Munishi, i cili nuk është ankuar por ka thënë se nuk ka mbetur i kënaqur me referimin ndaj Dukagjinit dhe Ferizajt. “Nuk dua të ankohem, por nuk jam i kënaqur me referimin në këto dy ndeshje. E them këtë, sepse referimi nuk ka qenë i drejtë. Mirëpo, në përgjithësi jam i kënaqur me atë që ka treguar ekipi, ndonëse do të ketë paraqitje edhe më të mira”.

Munishi thotë se ka qenë optimist për rezultate të mira të Prishtinës qysh para fillimit të sezonit, pasi thotë se ka besuar në punën e tij. Ai thotë se për këtë sezon të gjitha elementet në klub janë bashkuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe aspak nuk është i habitshëm starti i sezonit.

“Ne jemi një klub që jemi bërë pre fillimit. Pra, ka pasur ristrukturim jo vetëm në ekip, por edhe në kryesi. Pra, të gjitha elementet janë bashkuar dhe sigurisht se kemi besuar te starti i mirë”, ka thënë Munishi. “Gjithashtu, edhe kemi punuar mirë gjatë përgatitjeve dhe jemi bërë gati si është më së miri. Pra, kam qenë optimist para fillimit të sezonit, pasi pikë së pari kam besuar në punën time dhe pastaj e kam ditur se çfarë mund të ofrojë ekipi i Prishtinës pas ndryshimeve të bëra”.

Munishi thotë se Prishtina e këtij sezoni, dallon shumë prej sezoneve të shkuara. Ai thotë se ka ndryshuar shumëçka, por ende nuk i zbulon të gjitha. Insiston se e njeh ADN-në e Prishtinës dhe kjo është që e bën ekipin të funksionojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

“E njoh shumë mirë ADN-në e Prishtinës, prej kohës së Sahit Kelmendit, Shefqet Sinanit dhe Fadil Vokrrit. Kështu që, në pozicione të tyre inkuadrojë lojtarët e duhur që bëjnë dallimin ndaj ekipeve të tjera”, u shpreh Munishi.

Aktualisht, Prishtina zë vendin e dytë në tabelë me shtatë pikë, tri më pak se Gjilani që është lider, por ka një ndeshje më shumë të luajtur. Prishtinës i është shtyrë derbi me Dritën për kohë të pacaktuar për shkak se stadiumi “Fadil Vokrri” është i zënë. Ballkani, që është i treti, ka dy ndeshje më pak të luajtura.

/Koha.net