Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vendosur ta pranojë ftesën e kryeministrit Albin Kurti për t’u takuar nesën në ndërtesën e Qeverisë.
Abdixhiku pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, tha se ftesa e Kurtit erdhi me vonesë, por se po e pranon sepse beson “se çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore, raporton Gazeta Express.
“Kam pritur një proces më transparent dhe më gjithëpërfshirës rreth procesit të dialogut. Deri më tani, informimin e vetëm dhe të detajuar, LDK e ka pranuar vetëm nga aleatët ndërkombëtarë – të cilët në vazhdimësi i kanë qëndruar Kosovës në krah. Në këtë drejtim, dua të falënderoj në veçanti të dërguarin amerikan për Ballkan z. Escobar, ambasadorin amerikan në Prishtinë z. Hovenier; sikurse dhe të dërguarin e BE-së z. Lajçak. Në takime me ta, kam rikonfirmuar mbështetjen e plotë për masat e reciprocitetit; sikurse kam dhënë mbështetjen e plotë për vet procesin e dialogut”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Ai e akuzoi kryeministrin Albin Kurti se po e mban të painformuar publikun për procesin e dialogut.