Rasti tragjik i 11-vjeçares që u dhunua seksualisht nga pesë persona për shtatë orë rresht nuk ka nisur në natën e 27 gushtit.
Periskopi, duke u thirrur në burime të sigurta brenda policisë, raporton se e mitura ishte keqpërdorur seksualisht edhe në fund të qershorit të vitit 2022, madje dyshohet se nga gjashtë persona të moshës madhore.
Ky medium, duke e cituar raportin policor të rastit të mëhershëm, raporton se në natën e 21 qershorit viktima ishte takuar me një person të moshës madhore në një kafene të lagjes ku jeton në Prishtinë dhe nga aty kishin vazhduar në një motel në rrethinë. Sipas deklaratës së të miturës, në motel kishte shkuar edhe një person tjetër dhe pastaj të dy e kishin dorëzuar te persona të tjerë.
Pra, dyshohet se viktima është keqpërdorur seksualisht nga gjashtë persona të moshës madhore brenda natës. Abuzimi dyshohet të ketë ndodhur në lokacione si Prishtinë, Orlloviq dhe Fushë Kosovë.
Fillimisht e mitura ishte raportuar si e zhdukur nga familjarët e saj. Të nesërmen, krejt në orët e para të mëngjesit, viktima ishte lënë nga të dyshuarit në një rrugë jo shumë larg shtëpisë së saj në Prishtinë.
Periskopi raporton se lidhur me rastin nuk ishte arrestuar asnjë person, ndonëse njërin prej tyre e kishin identifikuar qysh në fillim. Madje, as dëshmitarët e rastit nuk ishin ftuar për intervistim.
Në raportin e rastit thuhet se e dëmtuara ishte dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor dhe pastaj në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale ishte dërguar në strehimore. Megjithatë, vullneti i prindërve, por edhe i vajzës, ishte që të kthehej në shtëpi.
Rasti vlerësohet të jetë ende nën hetime, mirëpo Policia e Kosovës nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare lidhur me këtë.
Kujtojmë që pesë persona janë arrestuar për dhunimin e 11-vjeçares, që ka ndodhur më 27 gusht, ndaj të cilëve ka masë paraburgimi.