Të dielën në mëngjes ka ndodhur një krim makabër në Berlin të Gjermanisë. Një zëdhënës i policisë foli për një “pamje të tmerrshme” në vendin e krimit dhe protagonist i kësaj është bërë një kosovar, përcjell Gazeta Express.
Vepër e përgjakshme në lagjen Friedrichsfelde të Lichtenberg në Gjermani: Të dielën në mëngjes, një 23-vjeçar nga Kosova e goditi me sëpatë një grua 27-vjeçare në një apartament në Löwenberger Strasse. Policia e qëlloi atë për vdekje, ndërsa gruaja vdiq nga plagët e marra.
Rreth orës 07:40, fqinjët dëgjuan bërtimat e tmerrshme të një gruaje brenda një banese. Ata e kishin telefonuar Policinë.
Kur policët kishin hyrë në apartamentin e katit të nëntë, kishin përpara një pamje të tmerrshme. “Atje, një burrë po e godiste një grua me sëpatë”, tha zëdhënësi i policisë Stefan Petersen-Schümann të dielën pasdite përpara ndërtesës dhjetëkatëshe ku ndodhi krimi. Më pas policia përdori armë zjarri duke vrarë burrin me sëpatë, shkruan Berliner Zeitung, përcjell Gazeta Express.
As viktima nuk ka mundur të ndihmohet. Gruaja, me plagë të rënda, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Sipas të dhënave fillestare, gruaja e vrarë është një ukrainase. Autori vjen nga Kosova. Të dy nuk ishin të martuar dhe nuk ishin të regjistruar në apartamentin me një dhomë, tha ai. Policia fillimisht nuk ka mundur të tregojë se çfarë raporti ka autori me viktimën.