Kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj ka folur për sulmin që ka ndodhur sot ndaj tij, gjatë një mbledhjeje me arsimtarë të një shkolle në kryeqytet.
Jasharaj, lideri i grevistëve në sektorin publik, ka thënë se ai është në rrugë të drejtë, duke paralajmëruar që nuk do t’i tolerojë sulmet fizike ndaj tij.
“Uroj që situata të tilla të mos përsëriten. E di që mund të ketë sjellje me të rënda por unë jam në rrugën e drejtë”, ka thënë Jasharaj për T7.
Ai ka thënë se nëse do të ketë sulme të tilla në të ardhmen, atëherë sulmuesit do të përballen me pasoja të rënda.
“Nëse do të ketë kanosje të tilla, populli thotë dy duar për një kry, unë kam familje e fis, kam dajë e shokë dhe le ta dinë ata që më sulmojnë fizikisht do të përballen me pasoja të rënda, sepse po them: dy duar për një kry janë”, ka theksuar ai.
Rrahman Jasharaj është një prej figurave më të komentuara aktualisht. Me futjen e punëtorëve të sektorit publik në greva, si udhëheqës i këshillit grevist, ai ka marrë mbështetje por edhe sulme e fyerje në vazhdimësi.