Pas mësuesve, edhe policët paralajmërojnë grevë

Ndonëse sot institucioni i Policisë së Kosovës po e shënon 23-vjetorin e themelimit, pjesëtarët policorë ende nuk gëzojnë sigurimet shëndetësore. E ky 23 vjetor policët po i gjen edhe pa Ligjin për pensionim të parakohshëm, një kërkesë e kamotshme e tyre.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri tha se në rast se Qeveria e Kosovës nuk vepron sa i përket kërkesave të tyre për Ligjin e pagave do të ndërmarrin veprime sindikale.
Ai tha se Policia e Kosovës duke qenë me moshën më të shtyrë në rajon ka nevojë të madhe për Ligjin për pensionim të parakohshëm.

“Jemi policia e vetme në botë që nuk ka sigurim shëndetësor, jemi Policia me moshën më të shtyrë në rajon që mosha mestare ka arritur moshën 47-vjeçare dhe ende nuk është dërguar dhe ka qenë i premtuar nga kjo Qeveri që të dërgohet në Kuvend për miratim një draft-ligj i cili është përpunuar dhe është gati veç i finalizuar për pensionim për moshën 55-vjeçare. Arsyeja e vetme është se zyrtari policor pas gjithë këtyre sfidave që i bënë gjatë shërbimit duke rrezikuar shëndetin dhe jetën e vet kur e arrin moshën 65-vjeçare është pa pension, po e them pa pension me plot kuptimin e fjalës”, theksoi Zeqiri për kp.