Rusia publikon dokumentar propagandistik për veriun e Kosovës, tregon se si serbët janë të gatshëm për luftë (Video)

Radio televizioni propagandues shtetëror rus RT, ka publikuar një dokumentar për zhvillimet e fundit në Veriun e Kosovës, të cilin e ka titulluar “Serbia: Shenjat e luftës”.

Dokumentari propagandistik me një narracion fiktiv e prezanton problemin në Veri të Kosovës si një situatë e krijuar nga veprimi i një anshëm i Kosovës për të mbuluar simbolet e targave në veturat e shtetasve serbë, pa përmendur fare se diçka e tillë bëhet nga Serbia tash e sa kohë.

Dokumentari gjithashtu, përmes deklarimeve të udhëheqësve fashistë atje, provon të jap një pasqyrë se të rinjtë serbë janë të gatshëm për luftë në Kosovë.

Një nga liderët e një grupi radikal që organizonin edhe protestat pro-ruse në Beograd, thotë se Serbia duhet të marr shembull nga Rusia dhe njëjtë siç Vladimir Putin bëri në Ukrainë, ashtu duhet të bëjë edhe Vuçiq në Kosovë.

Në fund të dokumentarit, prezantohet fjalimi i Vuçiq-it, i cili thotë se serbët janë mbështetur për muri dhe se mos të çuditet askush nëse ata do të reagojnë si përgjigje.

RT është një nga mediat që ka krijuar narracionin paralel edhe për atë se çfarë ndodhë në Ukrainë dhe ka ushqyer popullin rus me informacione të rrejshme.

Qysh nga viti 2014, kur u pushtua Krimea nga Rusia, RT kishte prodhuar dokumentarë se si ukrainasit janë përkrahës të nazizmit dhe se ata vazhdimisht sulmojnë popullatën ruse në Rajonin e Donbasit.

Për këtë arsye, ky rrjet televiziv është bllokuar në shumicën e shteteve perëndimore dhe emetohet vetëm në Serbi.

https://youtu.be/fymOQShXZaQ